Aktualitet Si u implikua Jaho Mulosmani në vrasjen e Azem Hajdarit?

Si u implikua Jaho Mulosmani në vrasjen e Azem Hajdarit?

Pas ngjarjes ku mbeti i vrarë Azem Hajdari, Haklaj me Mulosmanin udhëtojnë drejt Tropojës përgjatë gjithë natës. Sipas vendimit final të gjykatës, edhe Jaho Mulosmani ka qëlluar me një pistoletë 9 milimetërshe në drejtim të Hajdarit dhe truprojave të tij. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm. Sot, familja Haklaj, mohon kategorikisht që në vrasjen e Hajdarit të kenë marrë pjesë Mulosmani dhe Çangu.

“Fatmiri mendoi që kur vjen dikush me armë nuk ka rrugë tjetër, edhe Naimi është përpjekur ta ndalojë, edhe sot djemtë e tij janë me PD-në”, – tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.

Pas ngjarjes, lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi me emër si autor të krimit pikërisht Jaho Sali Mulosmanin. Ai, nuk e përmendi fare emrin e Fatmir Haklajt, sa kohë ky i fundit ishte gjallë.

“Jaho ka qenë Shef Rendi, ka thënë Jaho Mulosmani, ka dashur ta bëjë politike. Ai e di që Jaho s’ka pasur asnjë ndikim në vrasjen e Azem Hajdarit”, – tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.

Nuk dihet nëse Berisha i trembej hakmarrjes së Haklajve apo nuk kishte informacion të saktë mbi autorësinë e krimit. Madje, edhe kur Fatmiri u rikthye në polici në vitin 1999, ai akuzonte Partinë Socialiste se po vishte banditët me uniformë, por emrin e Haklajt nuk e përmendi.

“Kurrë s’e ka përmendur emrin e Fatmirit, kur u kthye në detyrë akuzonte PS-në, por jo Fatmirin personalisht. Nuk e di a ka pasur frikë Berisha nga familja jonë por si çdo njeri prej mishi e gjaku edhe Sali Berisha ka frikë”, – tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.

Mbrëmjen e krimit, Ministri i Brendshëm i asaj kohe i kërkoi shefit të krimeve në Tropojë Kastriot Gjongecit të verifikonte në kullën e Mulosmanëve në Bujan, prezencën e Jahos. Atje, u del para policëve babai i tij Sali Mulosmani dhe u thotë se Jaho është sëmurë në shtrat dhe nuk mund të dalë. Të nesërmen, Jaho u paraqit në punë në komisariat, pasi kishte udhëtuar përgjatë gjithë natës nga Tirana. Edhe pse sot është pas hekurave, Jaho Mulosmani konsiderohet si një prej njerëzve më të rrezikshëm pranë Haklajve.

“Nuk kemi tentuar për të kontaktuar, nga frika se mund tu ndodhë ndonjë gjë. Po qëndron në burg padrejtësisht Jaho Salihi. Është dënuar me burgim të përjetshëm nga fjala e Sali Berishës”, – tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.

Në lidhje me ngjarjen, janë dënuar edhe vëllezërit Izet dhe Ismet Haxhia, përkatësisht me 25 dhe 20 vite heqje lirie. Ismeti e ka kryer dënimin dhe i është rikthyer jetës normale. Implikimi i tij ishte vetëm udhëtimi në një prej mjeteve me Fatmir Haklajn, nga Tropoja në Tiranë. Ndërkohë, për Izet Haxhinë, në vendimin final të gjykatës thuhej se ai është personi që nxori në pritë Azem Hajdarin. Ai i është dorëzuar autoriteteve pas shumë viteve në arrati dhe është në pritje të rigjykimit.

“Asnjë lidhje s’ka pas Izet Haxhia, as vëllezërit Haxhia, asnjë person”, – tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve./Top Story