Bota “Siamo con voi”! “Jeni hipokritë”! Lufta gjermano-italiane plas edhe mes gazetave të...

“Siamo con voi”! “Jeni hipokritë”! Lufta gjermano-italiane plas edhe mes gazetave të mëdha

Në kulmin e pandemisë botërore, gjermanët dhe italianët kanë rindezur luftën mes tyre. Shkak është bërë një sherr i nisur prej ditësh për euro-bonot e krizës së koronës. Italia, Spanja dhe Franca janë vendosur në një krah; Gjermania, Holanda dhe Austria në krahun tjetër.

Në një skenar të ngjashëm me atë që ndodhi me Greqinë, Gjermania po tregohet mësuesja e rreptë, kurse italianët kanë kujtuar se Berlini pasur e ka lënë vetëm Italinë në këtë luftë.

Të mërkurën, gazeta më e madhe gjermane, BILD, doli me një editorial pajtimi. “Siamo con voi” (Jemi me ju), thuhet në editorial. Shkrimi ishte në gjermanisht dhe italisht.

“Ne qajmë me ju për të vdekurit tuaj. Ne ndjejmë me ju, sepse jemi vëllezër. Come fratelli”, thuhet në shkrim. “Mrekullia jona ekonomike nuk do ishte e mundur pa ju. Ju na keni sjellë ushqimet e mira. Papritur kishte antipasta, makarona farfale, tiramisu. Jo vetëm patate dhe lakra”.

“Italia, vendi i dashurisë sonë të parë. Kemi ardhur te ju me makina Beetle, në rivierën tuaj, në Kapri, Venecia, Toskana. E duam detin blu dhe aromën e limonave që lulëzojnë”, shkruan më tej gazeta.

“Ne donim gjithmonë të ishim pak si ju. Të qetë, të bukur, pasioniantë. Duam të gatuajmë makaronat si ju, të pimë Campari si ju, të jemi dashnorë si ju. La dolce vita. Prandaj ju kemi zili”.

E menjëhershme përgjigjja e gazetës së madhe italiane, Corriere della Sera, që e quan hipokrizi shkrimin, duke nisur nga kjo fjali e mësipërme. “Shkruajnë sikur askush në Itali nuk punon. Sikur nuk ka punuar kurrë”, shkruan gazeta italiane.

Në fund shkrimi gjerman mbyllet sërish me një stereotip: “Do takohemi për pushime ose në piceri”. “Do ia dilni, sepse jeni të fortë”.

Gazeta italiane nuk përmbahet: “Dmth do ia dalim vetëm. Pa përmendur asgjë për solidaritetin që u takon vëllezërve, të cilët edhe BILD e pranon se e kanë ndihmuar Gjermaninë të ringrejë ekonominë e saj. Pa përmendur rrezikun që i kanoset shtëpisë së përbashkët, Europës. Pa përmendur nevojën që vëllezërit më të pasur të ndihmojnë vëllezërit më të varfër”.

“A mund ta themi? Me gjithë respektin e duhur, ky shkrim është një hipokrizi, një manifestim i turpshëm egoizmi”, thekson Corriere della Sera.