Aktualitet Sindikata e pedagogëve vendos për bojkot të plotë të mësimit

Sindikata e pedagogëve vendos për bojkot të plotë të mësimit

Sindikata e punonjësve universitarë deklaroi se do të ndërpresë plotësisht mësimin në shenjë proteste ndaj mosreagimit të qeverisë për t’iu përgjigjur kërkesës së saj për rritjen e pagave me 50% brenda dy viteve dhe përmirësimit të kushteve akademike dhe të kërkimit shkencor.

“Deklarojmë vijimin e protestës dhe në ditët në vijim, në formën e ndërprerjes së plotë të procesit mësimor përgjatë gjithë ditës, si dhe në grumbullimin para fakulteteve çdo ditë para orës 10:00”, tha kryetari i sindikatës, Sandër Kovaçi. “Vetëm qëndresa jonë do të sjellë vlerësimin dhe kthimin e dinjitetit të stafeve tona. Një thirrje të veçantë u bëjmë ndërgjegjes atyre kolegëve që ende nuk na janë bashkuar, duke shpresuar në bashkimin e tyre me ne në ditët në vijim. Misioni ynë akademik, vijon”.

Vendimi u deklarua vetëm pak minuta pasi kryeministri Edi Rama kishte deklaruar se pagat e pedagogëve nuk do të rriteshin kurrë më në mënyrë uniforme nga qeveria, por duhet të rriteshin përmes buxheteve të vetë universiteteve.

Gjatë një takimi me Rektorët e Universiteteve Publike dhe Jopublike, Rama tha: “Koha kur qeveria rrit pagat sepse kërkojnë sindikatat, ka mbaruar, bashkë me reformën e arsimit të lartë. E tha ministrja, është hera e fundit që bëjmë rritje page uniforme. Do të mbështesim më shumë ata që i sjellin më shumë shoqërisë”.