Kryesore Sistemi “veting pas vetingu” ose prit gomar të mbijë bar

Sistemi “veting pas vetingu” ose prit gomar të mbijë bar

46
0
Shpërndaje
Çapajev Gjokutaj

Nga Çapajev Gjokutaj*

Lajmi i ditës: një gjyqtar, jo dokudo, por i Gjykatës së Lartë, ka pasë qenë dënuar në Itali. Për vjedhje ordinere në një supermarket.

Me një fjalë, një hajdut radhikó ka arritur të bëjë karrierë në majat më të larta të shtetit shqiptar. Epo, s’thonë kot që rasti është mbret i botës.

Por çudi të tilla s’qenkan dhe aq të rastit. Gjatë muajve të fundit kemi dëgjuar shumë lajme me prokurorë e gjykatës që bëjnë pasuri me shpejtësi prestigjatori, tak-fak.

Herë në lojërat e fatit, herë me darovitjet e të ftuarve në dasëm dhe plot herë të tjera me dhurata që u bëkan të afërmit. Dhe s’janë dhurata disido, po shuqe dhjetëra mijëra eurosh.

Të gjitha këto çudi meritojnë të bëhen lajme të ditës.

Por a s’ju duket se, duke bredhur pas lajmesh të tilla, po bëhemi si mileti i kohës së baba Qemos? Herë pas here e ftonin të dilte në pjacë e të engledisej me varjet e kriminelëve.

Në fakt ka disa gjëra të tjera, shumë më të rëndësishme, që meritojnë vëmendjen e publikut. Psh ç’ka bërë gjithë këtë kohë ILKPD, që mbikqyr pasurinë e gjithë nëpunësve të lartë: qeveritarë, deputetë, gjykatës, prokurorë, kryebashkiakë, etj.?

Dhe akoma më e rëndësishme: ç’ndryshime ligjore dhe institucionale duhen bërë që ky institucion dhe të tjerë të këtij lloji, të ndajnë shapin nga sheqeri dhe jo të marrin rrogat e të bëjnë sikur punojnë?

Pas vetingut të gjyqtarëve, thonë, do fillojë vetingu i politikanëve.

Të presësh vetingje pas vetingjesh për të bërë zap korrupsionin politik e administrativ, është si ajo fjala: prit gomar të mbijë bar.

Ajo që duhet të kërkojmë është të gjejmë se ç’duhet bërë që hallkat e shtetit të punojnë me seriozitetin e organeve që po bëjnë vetingun në drejtësi.

Po qe se do presim që sistemi ‘veting pas vetingu’ të dublojë shtetin, do vazhdojmë traditën e Baba Qemos: herë pas here do bëjmë sehir si kapet e ndëshkohet ky apo ai dinjitar i lartë e hajdut, kurse ditë për ditë do vidhemi e shfrytëzohemi nga lukunia e politikanëve që bëjnë shfaqje a, më saktë, thiatro.

(Nga cikli ‘Selanik e tatëpjetë’)

*Marrë nga profili i autorit në Facebook/ Titulli i redaksisë

Komento

Shkruani komentin tuaj
Ju lutem fusni Emër-in