Politika Situata politike, Edlira Gjoni: Ndoshta me dashuri, por pa qetësi!

Situata politike, Edlira Gjoni: Ndoshta me dashuri, por pa qetësi!

“Është një situatë ndoshta me dashuri, por pa qetësi. Kjo është e paktë, por e sigurt. Qetësia dhe dashuria tashmë janë ndarë. Është e dukshme që qetësia nuk është më mes rreshtave të Presidentit. Meta e ka humbur atë ekuilibrin e tij, me të cilin e ka ushqyer veten qëkur është bërë President”.

Kështu e ka komentuar përplasjen mes Presidentit dhe Mazhorancës opinionistja Edlira Gjoni, e ftuar në Ditarin e orës 09:00 në A2.

Por pse ka ndodhur kjo? Gjoni ka disa arsye… “Leximi nga lart mund të jetë ai që Presidenti ndihet vetëm ose i përjashtuar, ose i kërcënuar nga kjo puna e krijimit të Gjykatës Kushtetuese, ku ka të drejtë të emërojë 1/3 e gjyqtarëve dhe ai po e shikon që është shumë e vështirë që të emërojë një e imagjino të bëhen 3. I kanë humbur në njëfarë mënyrë “A”-sat nën mëngë”.

Ekspertja e komunikimit theksoi se palët po bëjnë të gjitha mënyrat për të vonuar reformën në drejtësi. “Të thuash që shqiptarët janë të ndarë sipas partive, kjo do të ishte një gjë e mirë, por shqiptarët janë të ndarë sipas interesave të palëve kryesore që po mundohen me të gjitha format që të vonojnë një reformë që do të vendoste në zinxhira të gjitha autorët e këtyre që janë bërë në këto 30 vjet”, u shpreh Gjoni.