Aktualitet Sizmiologu Ormëni flet për tërmetin e fundit që goditi Shqipërinë

Sizmiologu Ormëni flet për tërmetin e fundit që goditi Shqipërinë

Në një lidhje telefonike për emisionin “Opinion” në Tv Klan, sizmiologu Rrapo Ormëni ka folur për tërmetin që goditi Shqipërinë mbrëmjen e kësaj të marte.

Sipas sizmologut, lëkundjet kanë qenë me magnitudë 4.9 të shkallës Rihter. Ormëni thotë se ky tërmet është në vijimësi të pasgoditjeve nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.

“Ishte një tërmet me magnitudë 4.9 të shkallës Rihter në zonën ku ka rënë dhe tërmeti i 26 Nëntorit, i cili u shoqërua dhe me një pasgoditje tjetër me magnitudë 4.2 Rihter.

4.9 është lëkundje që ndihet, e atij niveli që kanë rënë edhe pas 26 Nëntorit. Kanë veçoritë e tyre, në momente të caktuara vjen tendenca në shuarje, por do ketë dhe të tilla.

Kishte një gjendje qetësie dhe kjo krijon më tepër panik dhe kjo është e kuptueshme. Me magnitudë 4.9 nuk krijohet fare panik.

Kuptohet që në asnjë rast nuk mund të parashikosh në mënyrë të saktë si është vijueshmëria. Në mënyrë statistikore, ato kanë ardhur duke u zvogëluar, por herë pas herë ka rënë dhe ndonjë me magnitudë më të madhe”, tha sizmologu Rrapo Ormëni.

Lëkundjet sizmike u ndjenë pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Ministria e Mbrojtjes raporton se nuk ka të lënduar dhe dëme materiale.