Kuriozitete Sizmologët: Ngritja me 10 cm e tokës, fenomen i njohur

Sizmologët: Ngritja me 10 cm e tokës, fenomen i njohur

Për sizmologët ngritja e tokës me rreth 10 centimetra afër qytetit të Durrësit është normale pas tërmetit katastrofik që goditi Shqipërinë mëngjesin e 26 Nëntorit.

Llambro Duni teksa i referohet pamjeve të satelitit Sentinel 1 të programit europian të Agjencisë Europiane të Hapësirës ESA që ka analizuar të dhënat, thotë se kemi të bëjmë me thyerje tektonike që ka çuar në zhvendosjen e tokës.

Sizmiologu Duni qetëson banorët në zonat e prekura nga tërmeti se deri në rikthimin e tokës në nivelin e saj pasgoditjet do të na shoqërojnë.

“Kjo varet nga tipi i lëvizjes së pllakave tektonike. Është një shtyrje “mbihipje” dhe ka krijuar këtë ngritje të Tokës. Deri sa të shuhen lëkundjet do të kërkojë muaj. Nuk është thënë që Toka të rikthehet në nivelin e saj. Duhet qetësi, këto lëkundje do të vazhdojnë. Pasgoditjet do të vazhdojnë kështu që ne duhet të mësohemi me lëkundjet sizmike”.

Por ai ka një këshillë veçanërisht për ata banorë shtëpitë e të cilëve janë të dëmtuara, si dhe për autoritetet që po monitorojnë në terren pallatet e çara nga lëkundjet e forta të tërmeteve.

“Njerëzit duhet të dëgjojnë ekspertët për banesat e tyre. Nuk duhet të shkojnë në banesa që një lëkundje e vogël mund të të rrezikojë. Njerëzit nuk duhet të lejohen të futen në banesa që janë dëmtuar”.

Sipas sizmiologëve vendas e atyre të huaj tërmeti i shënuar mëngjesin e 26 Nëntorit shënon edhe pikun më të lartë të valës së goditjeve, ndërsa ditët e muajt në vijim pritet një pakësim i tyre që mendohet se nuk do ta kalojë atë të shënuar me 6.3 Rihter.