Kosova “S’jam i pafajshëm”, i akuzuari për vrasjen e 18-vjeçares me anti-plumb në...

“S’jam i pafajshëm”, i akuzuari për vrasjen e 18-vjeçares me anti-plumb në gjykatë

Këtë të enjte është zhvilluar seanca në Gjykatën e Ferizajt ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, dy të akuzuarve për përdhunimin dhe vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmanit.

Krivaça ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje në lidhje me ngjarjen e rëndë ndodhur ndaj ish-bashkëjetueses së tij, ndërsa Arbër Sejdiu është deklaruar i pafajshëm.

“Nuk po them se jam i pafajshëm dhe nuk dua të deklarohem lidhur më fajësinë në këtë fazë”, ka thënë Krivaça gjatë seancës.

Pas përfundimit të seancës, nga ambientet e Gjykatës Themelore në Ferizaj janë larguar edhe prindërit dhe familjarët tjerë të ndjerës, Marigona Osmani.

Prokuroria Themelore në Ferizaj në fund të muajit të kaluar, ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve të cilët gjenden në paraburgim që prej muajit gusht të vitit 2021.

Krivaça akuzohet për vrasjen e Osmanit, ndërsa Sejdiu dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj viktimës.

Të dy e braktisën 18-vjeçaren pa jetë në urgjencën e Ferizaj, pasi e kishin keqtrajtuar për gati 24 orë.