Bota “S’ka marrëveshje me Kosovën”, Vuçiç: S’duhet të ketë më fëmijë serbë apo...

“S’ka marrëveshje me Kosovën”, Vuçiç: S’duhet të ketë më fëmijë serbë apo shqiptarë të vrarë

Kosova dhe Serbia nuk janë afër marrëveshjes finale. Pohimi vjen nga presidenti Aleksandër Vuçiç, i cili zbeh shpresat për një zgjidhje të shpejtë politike pas momentit të mirë të krijuar nga akordi për stabilizim ekonomik të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, nuk mendon këtë barrë t’ia lërë brezit të ardhshëm.

“Nuk mendoj se jemi afër ndonjë zgjidhje me Kosovën, por nuk besoj se kemi të drejtë t’ua lëmë fëmijëve tanë ta zgjidhin këtë. Nuk duhet të kemi fëmijë serbë apo shqiptarë të vrarë në të ardhmen. Unë mendoj se këto marrëveshje janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të ruajtur paqen dhe në një moment – nuk mund të them nëse do të bëhet brenda tre muajsh ose në një vit – mund të zgjidhë problemet tona dhe të lërë një të ardhme të qartë për fëmijët tanë një herë e përgjithmonë”, u shpreh Vuçiç.

Ndërkohë, njohja e Kosovës është një parakusht për Serbinë që të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Vuçiç ka kundërshtuar shpeshherë dhe thotë se kjo nuk do të ndodhë. Marrëveshjen e Uashingtonit, presidenti serb e konsideroi një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur. Ai konfirmoi, gjithashtu, se do të respektojë pikën e akordit të 4 shtatorit për zhvendosjen e ambasadës Serbe nga Tel Avivi për në Jerusalem.