Kryesore S’ka më zona të kuqe/ Rama: Nga 1 qershori rihapet qarkullimi në...

S’ka më zona të kuqe/ Rama: Nga 1 qershori rihapet qarkullimi në të gjithë vendin

Kryeministri Edi Rama bëri me dije se më 1 Qershor do të hapen kopshtet, çerdhet, kufiri tokësor, qarkullimi me makinë në të gjithë vendin dhe se nuk do të ketë më zona të kuqe.

“Të hënë do hapen çerdhet dhe kopshtet, kufirin tokësor, qarkullimin me makina në të gjithë vendin dhe plazhet publike do të jenë të hapura. Kjo do të jetë java e fundit e zonave të kuqe dhe e fundit e kalimit në dhe nga zonat e kuqe. Detajet do të dalin të premten”.

Rama tha se ende nuk e ka një analizë për punën e tij që ka bërë gjatë kësaj periudhe pandemie, por është i lumtur që këtë punë e bën me pasion dhe lufton për idetë e tij, pavarësisht kritikave dhe gabueshmërisë.

“Asgjë asnjëherë nuk është e përsosur, asnjë qeveri e lider. S’ka shembur dhe nuk mund të shmangin dot vendime të diskutueshme apo dhe të gabuara, e jo më kritika publike. Edhe ata më të lavdishmit po të ngjalleshin dhe një herë, dhe jo më të zakonshmit e kësaj bote si puna ime, po të ktheheshin pas do të gjenin plot gjëra për të ndryshuar. Në këtë rast ende se kam të plotë analizën që i bëj vetes dhe punës sime, se kemi bërë ende as me skuadrën e qeverisë, por nëse do të kthehesha pas nuk do tu përgjigjesha më komentatorëve fyes e brutal të faqes sime në Facebook, nuk do ta bëja këtë puna pa pasion, pa gjak, pa luftë për bindjet dhe të vërtetat e mia. Kjo për shumë kënd nga mënyra si e bëj mund të duket arrogancë, mbase dhe është, nuk e di, por është se nuk vras, nuk vjedh, nuk shantazhoj, nuk shpif, nuk fle para të tjerëve, nuk zgjohem pas të tjerëve… dhe shkurt fare nuk punoj për të jetuar por jetoj për të punuar. Sikur të mos e jetoja këtë punë si mision, për të ndihmuar sa më shumë njerëzit dhe kuruar plagët e së shkuarës së këtij vendi, s’do duroja dot për një sekondë e jo më për vite. Nuk jam e as nuk dua të jem politikani profesionist që ka një fytyrë kur fiken kamerat e një fytyrë tjetër kur ndizen kamerat”.

Sakaq, kryeministri ka bërë me dije se është gati plani për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

“Unë dhe kjo qeveri do vijojmë punën dhe së shpejti ju prezantojmë planin e rimëkëmbjes ekonomike. Jo vetëm të zhdukim pasojat e kësaj kohe dreqi, por do të dalim më të fortë. Do investohemi me gjithë energjitë tona dhe qysh prej fillimit të qershorit do të hapen kantieret e rindërtimit dhe shumë të prekur nga tërmeti do hyjnë në shtëpi si dhe lagje të reja. Do të ketë dhe një plan investimesh dhe do hapë plot mundësi për punësim dhe do zgjerojë frymëmarrjen e këtij organizmi të vendit. Si sot viti, të gjithë do e kuptojnë që nga kjo goditje do të bëhemi më të fortë. Më vjen mirë që me gjithë sistemimin e aplikimeve, shpesh me gabime, janë aktualisht 65 mijë e 984 që kanë marrë 2 paga lufte, dhe 109 mijë e 696 të tjerë që kanë marrë 400 mijë lekë. Janë shqyrtuar me shumë vëmendje mijëra raste që për asnjë arsye apo një tjetër nuk kanë marrë pagën 400 mijë lekë. Nga një anë nga neglizhenca e pronarëve. Unë them atë që bëj, dhe bëj atë që them. Duart mos harroni t’i lani sa më shpesh se ai nuk ka ikur”, tha Rama.