Aktualitet “S’kam parë si ky”! Kush është gjykatësi që çuditi vëzhguesin e ONM-së

“S’kam parë si ky”! Kush është gjykatësi që çuditi vëzhguesin e ONM-së

Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë u përball me probleme të shumta ditën e djeshme, teksa doli përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në kuadër të vlerësimit kalimtar, shkruan Panorama.

Izet Kadana, i cili ka rreth 25 vjet që punon në sistemin e drejtësisë, kishte probleme në të tria kriteret e parashikuara në ligj për rivlerësimin kalimtar: pasuria, aftësitë profesionale dhe integriteti i figurës. Edhe pse gjyqtari kërkoi rikonfirmimin në detyrë, duket se çdo gjë shkon kundër tij. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i përbërë nga Lulzim Hamitaj, kryetar, dhe Xhensila Pine e Firdes Shuli, ngritën dyshime serioze për gjyqtarin.

Që nga problemet me pasurinë, deri te lidhjet me krimin e organizuar si edhe ndërhyrjet që gjyqtari dyshohet se ka bërë për punësimit e bashkëshortes në Prokurorinë e Pukës, shkojnë në kah të kundërt të rikonfirmimit në detyrë. Gjyqtarit iu përmendën lidhjet me disa nipër të tij, të cilët janë hetuar për pastrim parash dhe trafik droge. Në seancë, u lexuan edhe disa mesazhe me gjuhë të ashpër, që gjyqtari kishte shkëmbyer me një zyrtar për punësimin e bashkëshortes së tij në Prokurorinë e Përgjithshme. Gjithashtu, përfaqësuesi i ONM-së në seancë, Theo Jacobs, tha se nuk kishte parë në karrierën e tij një abuzim me detyrën si ajo e gjyqtarit Kadana.

Hetimi administrativ i thelluar për pasurinë nxori në pah probleme me shpenzimet e pajustifikuara të gjyqtarit. Sipas relatores Xhensila Pine, Kadana kishte një masë prej 1.2 milionë lekësh të pajustifikuara. Gjithashtu, dyshime pati edhe për 700 mijë lekë kredi të marrë nga bashkëshortja dhe dy hua me një vlerë totale 8.4 milionë lekë që gjyqtari ua kishte lëvruar personave të tjerë.

Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtari, me të ardhurat e deklaruara ndër vite, nuk justifikon kursime në masën e lëshimit të dy huave. Por sipas kreut të Gjykatës së Pukës, i cili përfaqësohej nga një avokat në seancë, llogaritjet e bëra nga këshilltarët ekonomikë të KPK-së ishin të gabuara dhe se ai i ka pasur të ardhurat e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e konstatuara.

Avokati tha se kontrata për blerjen e një apartamenti në Pukë në vitin 1995 me vlerë 4 milionë lekë kishte gabime të bërë nga noteri. Ai pretendoi se bëhej fjalë për 4 milionë lekë të vjetër dhe jo të rinj, pasi në Pukë nuk mund të gjendej një apartament me atë vlerë në vitin e largët 1995. Për kredinë, avokati tha se ishte marrë nga bashkëshortja për llogari të biznesit të vjehrrit dhe ishte shlyer po nga ai.

Për pastërtinë e figurës, DSIK kishte raportuar fillimisht përshtatshmëri të gjyqtarit për vazhdimin e detyrës, ndërsa më pas, me kërkesë të KPK-së, ishte përgatitur një raport i dytë që rrëzoi të parin. Sipas DSIK-së, Izet Kadana kishte kontakte të papërshtatshme me njerëz të botës së krimit, konkretisht disa nipër dhe një vëlla, të hetuar për vepra të ndryshme penale. Ato përfshinin trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. KPK nënvizoi se ishin të vërtetuara lidhjet e gjyqtarit me vëllanë e tij, me banim në Kamzë, djali i të cilit ishte arrestuar në Itali për trafik droge.

Po kështu, edhe djali i subjektit të rivlerësimit kishte banuar në shtëpinë e xhaxhait në Kamzë gjatë studimeve në Tiranë. Komisioni u shpreh se gjyqtari kishte kaluar dy javë në Itali, pasi nipi i tij i arrestuar për vepra penale kishte ndërruar jetë. Më tej, u përmenden edhe lidhjet me nipërit e tjerë, të cilët kanë qenë nën hetim për vepra të ngjashme. Gjyqtari mohoi të ketë pasur lidhje me tre nipërit e tjerë, ndërsa për nipin që u nda nga jeta në Itali, tha se kishte marrëdhënie, kryesisht me babanë e tij, pra, vëllain, dhe se në shtetin fqinj kishte qenë vetëm me rastin e fatkeqësisë.

Edhe sa i përket profesionit, gjyqtari Kadana kishte probleme, teksa në KPK u përmenden 19 SMS telefonike me një person të identifikuar vetëm si F.L., ku gjyqtari ka përdorur një gjuhë të ulët. Tekstet e SMS-ve sugjeronin për “kërcënime” dhe “ndikim të paligjshëm”. Vetë gjyqtari shpjegoi se përplasja me personin në fjalë kishte lindur kur në Prokurorinë e Pukës ishte shpallur një vend vakant dhe në garë kishte tre kandidatë.

Mes tyre ishte edhe bashkëshortja e gjyqtarit, e cila nuk u përzgjodh herën e parë, por më pas, u shpall fituese. SMStë kishin përballje të tilla si “do ta shohësh ti se kush jam unë dhe do të ndërhyj në Prokurorinë e Përgjithshme”. Në seancë u zbulua se ato i drejtoheshin njërit prej kandidatëve që u përzgjodh herën e parë. Në këtë moment ndërhyri edhe vëzhguesi ndërkombëtar, i cili tha: “Në të gjithë karrierën time, nuk kam parë kurrë një rast të tillë abuzimi me detyrën”. Vendimi për Kadanën pritet të jepet më 20 dhjetor, në orën 10:30.