Kryesore Skandal në Shkodër, kërcënohet stafi drejtues i “Vllaznisë”

Skandal në Shkodër, kërcënohet stafi drejtues i “Vllaznisë”

Një lajm i rëndë për futbollin vjen këtë të mërkurë nga qyteti i Shkodrës, atje ku stafi drejtuesi i ekipit kuqeblu, me në krye trajnerin e ri Agim Canaj, drejtorin teknik Engin Firat dhe administratorin Suad Lici, ka marrë kërcënime nga jashtë.

Situata e rënduar ka sjellë për pasojë pezullimin e seancës stërvitore të klubit të Vllaznisë.

Presionet, që shkojnë deri në kërcënim me jetën, janë të natyrës për aktivizim të lojtarëve të caktuar në formacionin e titullarëve.

Burime pranë lojtarëve të Vllaznisë thonë se presione të tilla ka pasur edhe në kohën e trajnerit Lika, i cili vetëm pak ditë më parë emigroi në drejtim të Shteteve të Bashkuara.

Ato nuk janë ndalur as tani, që në krye të pankinës ka ardhur një tjetër figurë e njohur e trajningut shqiptar, si Canaj, vetëm në ditën e dytë të punës.

Drejtuesit e Vllaznisë, megjithatë, nuk kanë pranuar të flasin në lidhje me këtë çështje. Ende nuk ka një reagim zyrtar të klubit, por burime mediatike thonë se situata është tejet e rëndë dhe presionet janë të vazhdueshme ndaj stafit teknik të kuqebluve.