Aktualitet Skandali i “DH Albania”, arrest me burg në mungesë ndaj Avdjol Dobit

Skandali i “DH Albania”, arrest me burg në mungesë ndaj Avdjol Dobit

Gjykata e Tiranës ka vendosur arrest me burg në mungesë për Advjol Dobin, administratorin e kompanisë “DH Albania” që fitoi dy tendera me dokumente të falsifikuara.

Kjo kompani është përfshirë në skandalin e dy tenderave me vlerë 30 milionë Euro, përmes dokumenteve të falsifikuara.

Në mesin e muajit Dhjetor 2018, administratori 26-vjeçari i “DH Albania” ishte thirrur të jepte sqarime në lidhje me aferën e lotit të parë të Unazës së Madhe me vlerë 18 milionë Euro dhe atë të ndërtimit të linjës 220 kilovolt, Burrel-Peshkopi.

Megjithatë, Advjol Dobi nuk ishte paraqitur pranë Prokurorisë së Tiranës ku ishte thirrur për të dhënë shpjegime. Për këtë arsye, ndaj tij është vendosur në mungesë arrest në burg, pasi është përfaqësuesi ligjor i kompanisë dhe që ka fituar dy kontrata me shtetin shqiptar. Edhe nga sistemi TIMS, Dobi nuk rezulton që të ketë dalë nga vendi.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se DH Albania ka falsifikuar datën e regjistrimit, bilancet dhe një certifikatë të Sekretarit të Shtetit të Delaware në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas të cilës ajo nuk ka detyrime fiskale në këtë shtet, ku është regjistuar.

Dyshohet gjithashtu se DH Albania ka falsifikuar edhe noterizimin në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë një noter, i cili rezulton se nuk ekziston.