Bota Skandali në Greqi: Ministrat, deputetët, gazetarët përgjohen. Qeveria mohon akuzat

Skandali në Greqi: Ministrat, deputetët, gazetarët përgjohen. Qeveria mohon akuzat

Skandali i përgjimeve në Greqi është përshkallëzuar, pasi u publikua se 33 persona, zyrtarë, politikanë, gazetarë dhe biznesmenë janë në shënjestër të përgjimeve.

Sipas gazetës opozitare “Documento“, bëhet fjalë për një listë me anëtarë me ndikim të partisë konservatore Demokracia e Re dhe rivalë të mundshëm. Mes tyre ministra të qeverisë, si ministri i Jashtëm Nikos Dhendias, ish-kryeministri Antonis Samaras, anëtarë të familjeve të qeveritarëve, politikanë të partisë opozitare Syriza.

Gjithashtu përfshihen edhe tre drejtorë gazetash, një prej të cilëve ai i së përditshmes konservatore Kathimerini, gazetarë si dhe dy biznesmenë, ku shquhet emri i manjatit të anijeve Vangelis Marinakis, pronar i klubeve të futbollit Olympiakos dhe Nottingham Forest, njëkohësisht pronar i një prej grupeve më të mëdha mediatike të Greqisë.

Kryeartikulli i gazetës “Documento“,  pretendon se të gjithë këta përgjoheshin me anë të softuerit Predator, për të cilin qeveria greke pretendon se nuk e ka përdorur asnjëherë në Shërbimin e saj të Inteligjencës. Zëdhënësi i qeverisë Giannis Oikonomou me një deklaratë për shtyp thekson se “Ato që raportohen në gazetën në fjalë duhet të hetohen tërësisht nga organet kompetente dhe veçanërisht nga drejtësia greke, pasi nuk ka asnjë provë dhe faktet mungojnë”.

“Këto janë orë kritike për demokracinë dhe drejtësinë , për të cilën ka rëndësi në se do të qëndrojë në lartësinë e duhur”, shkruhet në deklaratën e partisë opozitare Syriza. Qarqe diplomatike të Ministrisë së Jashtme theksojnë gjithashtu se “është e paimagjinueshme dhe e rrezikshme të nënkuptohet se kryeministri përgjon ministrin e Jashtëm”.

Nga ana e tij  botuesi i gazetës “Documento“, Kostas Vaxevanis, ka kërkuar të hënën takim me Prokurorin e Gjykatës Supreme Isidhoros Ntojakos , për të parashtruar gjithë faktet e investigimit të tij. /Politico