Aktualitet Skandali në parukeritë e Tiranës: Si mashtrohen pacientët-klientë

Skandali në parukeritë e Tiranës: Si mashtrohen pacientët-klientë

“Fiks Fare” risolli edhe njëherë në vëmendje të publikut sesi mashtrohen pacientët-klientë nga sallone bukurie, ku bashkë me lyerjen e thonjve dhe krehjen e flokëve, u ofrohet edhe mbushja e buzëve me silikon dhe mbushja e rrudhave me botoks.

Injektimi i acidit hialuronik, “fillers”-at dhe botoksit nga njerëz jo profesionistë dhe dëmi që shkaktojnë në fytyrat e klientëve është i parikuperueshëm. Në “Fiks Fare”, mjekët profesionistë folën dhe denoncuan këtë fenomen abuziv, për të cilin ende nuk ka një bazë ligjore për ta goditur apo rregulluar.

Vitet e fundit dëgjojmë gjithmonë e më shpesh se, në parukeri apo qendra estetike të ndryshme ofrojnë shërbime bukurie të estetikës kirurgjikale, që sipas mjekëve duhen bërë nga profesionistë. Por pavarësisht thirrjes së mjekëve, asgjë nuk ka ndryshuar. Ankesa të ndryshme mbeten anonime dhe nuk denoncohen, pasi sot duket sikur rezultati i dalë keq është në modë.

“Fiks Fare” bëri një vëzhgim në disa nga këto qendra estetike dhe parukeri, të cilat ofrojnë të njëjtin shërbim: fryrje të buzëve, “fillers” të rrudhave apo mbushje dhe sistemim të vetullës.

Te “Pallatet Agimi”, në një qendër estetike bëhen nga një person që nuk është i pranishëm në qendër dhe nuk ka një emër, por që është mik i parukieres. Të bën fryrje të buzëve me botoks. Ndërhyrja zgjat disa minuta, ashtu siç tregon edhe recepsionistja. Takimi lihet nëpërmjet telefonit, vetëm në rastet kur e ke vendosur që do ta bësh ndërhyrjen.

Në një tjetër parukeri ofrohet një tjetër mënyrë. Në buzë të injektohet një “fillers” i përhershëm, që nuk është i tretshëm. Kjo bëhet nëpërmjet një mpirjeje lokale, pa të sqaruar se çfarë është produkti që do të të injektohet.

Po këtë shërbim ta ofrojnë në një tjetër parukeri në zemër të bllokut. Pronarja sugjeron që ndërhyrja të bëhet nga një mikesha e vet. Sipas saj, ajo realizon ndërhyrjen në buzë me një material të ngjashëm me silikonin, të cilin e cilëson si të përjetshëm. Mikesha nuk është mjeke, por e ka mësuar si procedurë në Peru.

Ndërsa në një tjetër qendër pranë “Komunës së Parisit”, këto injektime si me botoks, silikon apo acid hialuronik, bëhen nga një mjek italian pa identitet, të cilin e gjen vetëm një hërë në muaj në qendër. Dhe kjo, falë miqësisë që pronarja ka me mjekun italian, pasi siç ajo vet shprehet, mjeku “i famshëm” ka rreth 5.000 klientë në Itali