Bota Skandali seksual në Paris hap debatin: A po amerikanizohet politika franceze?

Skandali seksual në Paris hap debatin: A po amerikanizohet politika franceze?

Tërheqja javën e kaluar e Benjamin Griveaux nga gara për Bashkinë e Parisit pas publikimit të disa videove seksi në internet ka ngjallur në Francë debatin lidhur me atë nëse politika e vendit po “amerikanizohet”.

Griveaux, një aleat i ngushtë i presidentit francez Emmanuel Macron, është politikani i parë në vend që është detyruar të largohet nga posti për shkak të një skandali që nuk ka natyrë gjyqësore.

Por në këtë terren, shumë figura publike kanë pësuar fat të ngjashëm. Përkundër SHBA-ve, ku jeta familjare dhe vlerat tradicionale të shëndetshme luajnë një rol të rëndësishëm në procesin zgjedhor, politikanët francezë priren ta jenë të rezervuar për jetën e tyre private dhe bashkëshortet/ët e tyre zakonisht preferojnë të qëndrojnë në hije.

Dhe në rastet kur ka pasur skandale, francezët tradicionalisht kanë ngritur supet.

Ish-presidenti Francois Mitterand kishte një familje të dytë – një fakt i ditur për vite me radhë nëpër skenat politike dhe mediatike përpara se të zbulohej për publikun më të gjerë. Nicolas Sarkozy ishte martuar me gruan e dytë, Cecilia, kur u zgjodh president në maj 2007, por u martua vetëm 10 muaj më vonë me këngëtaren me modelen Carla Bruni. Pasardhësi i tij, Francois Hollande, pati një lidhje me aktoren Julie Gayet.

Në çdo rast, skandalet sigurisht kanë pushtuar kopertinat dhe kanë vënë në siklet protagonistët, por nuk kanë pasur pasoja politike apo profesionale.

“Francezët si më pak puritanë”

Christophe Dubois, bashkautor i një libri me titull “Sexus Politicus”, e cilësoi skandalin e Griveaux si “krejtësisht të paprecedent” në Francë, por kundërshtoi krahasimet me SHBA-të.

“Ajo që e dallon elektoratin francez nga publiku anglo-sakson është se nuk është puritan. Natyra disi e kurorëshkelëse e zyrtarëve tanë të zgjedhur nuk e ka ndaluar kurrë një kandidat të bëjë fushatë ose të zgjidhet”, shtoi ai.

Por Barthelemy Courmont, drejtor i hulumtimit në qendra kërkimore IRIS, i tha revistës “Marianne” se fenomeni i “amerikanizimit” të skenës politike filloi në fillim të viteve 2000, kur moralit nisi t’i kushtohej gjithnjë e më shumë vëmendje.

“Një formë puritanizmi të ngjashëm me atë të SHBA-së po shfaqet në vendin e Volterit”, tha ai, duke paralajmëruar se jeta private e politikanëve tani mund të “merret në shqyrtim” në Francë për shkak të skandalit të Griveaux.

“Më shumë politike sesa morale”

Një studim i publikuar të martën nga IFOP zbuloi se shumica – 57% – e 1 000 personave të anketuar ishin në favor të Griveaux, që u tërhoq nga gara për kryebashkiak të Parisit në mars.

Por sondazhi tregoi gjithashtu se të anketuarit besimtarë nuk kishin më shumë gjasa sesa ata që nuk ishin besimtarë për ta mbështetur vendimin e tij për t’u tërhequr, përkatësisht 55% dhe 57%.

“Po kështu, tërheqja e tij miratohet nga një shumicë e popullit francez në kategoritë më liberale lidhur me seksin, siç janë ata që edhe vetë kanë dërguar imazhe të tyre të zhveshur (52%) ose ata që pretendojnë një pjesë të homoseksualizmit (51%), çka tregon se gjykimi francez për këtë çështje duket më shumë politik sesa moral”, tha sondazhi.

Sondazhet e shihnin Griveaux në vendin e tretë në garën për kryetarin e Parisit pas kryetarit aktual, socialistes Anne Hidalgo, dhe kandidates së krahut të djathtë, Rachida Dati.

Një studim kombëtar i publikuar muajin e kaluar i jepte atij vetëm 20% të opinionit, duke e bërë atë politikanin e 42-të më të njohur në vend.

*Euronews