Sport “Skandaloz”, kryeministrja e Serbisë reagon ashpër për deportimin e Djokovic nga Australia

“Skandaloz”, kryeministrja e Serbisë reagon ashpër për deportimin e Djokovic nga Australia

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, reagoi ashpër këtë të diel pas vendimit të Australisë për të deportuar yllin serb të tenisit Novak Djokovic, në prag të Australian Open pasi ai udhëtoi pa u vaksinuar.

Brnabic e quajti vendimin e Gjykatës së Apelit si skandaloz, ndërsa shtoi se 34-vjeçari do të jetë gjithmonë i mirëpritur në atdheun e tij. Vendimi unanim i tre gjyqtarëve i dha fund shpresave të Djokovic për të synuar rekordin e 21-të Grand Slam në Australian Open.

“Mendoj se vendimi i gjykatës është skandaloz. Më duket e pabesueshme që kemi dy vendime gjykate krejtësisht kontradiktore brenda harkut të vetëm disa ditësh”, tha Brnabic për mediat në Beograd.

“Jam e zhgënjyer. Ky vendim tregoi se si funksionon sundimi i ligjit ose më mirë të themi se si nuk funksionon në disa vende. Në çdo rast, mezi pres të shoh Djokovic në atdheun tonë, në Serbi”, shtoi kryeministrja.