Politika Skema e sforcuar PS për zgjedhjet e Shkodrës: “Ndryshim të kodit zgjedhor,...

Skema e sforcuar PS për zgjedhjet e Shkodrës: “Ndryshim të kodit zgjedhor, Meta jashtë loje…”

Maxhoranca socialiste vijon të jetë në vështirësi në gjetjen e një zgjidhje për të zhbllokuar ngërçin e Shkodrës, krijuar nga dorëheqja e Valdrin Pjetrit.

Megjithatë nuk kanë munguar sugjerimet e para se si mund të zhvillohen zgjedhje të pjesshme në Shkodër në një kohë ku ato refuzohen të dekretohen nga presidenti Ilir Meta.

Top Channel ka mësuar se juristët e PS të ndodhur përballë një ushtrimi të vështirë juridik, e shikojnë zgjidhjen në ndryshimin e Kodit Zgjedhor.

“Ndryshimi nenit të kodit zgjedhor, për zgjedhjet e pjesshme duke ia hequr të drejtën e dekretimit të presidentit, dhe kalimin e kësaj kompetence KQZ-së, për raste të ngjashme si ato të Valdrin Pjetrit, është zgjidhja e vetme për momentin”, ka thënë një burim nga PS për Top-Channel.

Për të bërë këtë ndryshim emergjent në kodin zgjedhor socialistët i kanë votat në parlament.

Një ndryshim i tillë do të jetë jo vetëm zgjidhje për Shkodrën, por edhe për ndonjë bashki tjetër si ajo e Vorës, ku me gjatës zgjedhjet e pjesshme janë të pashmangshme.

Presidenti Ilir Meta, as që e ka në mëndje të dekretojë një datë të re zgjedhjesh për Shkodrën, duke e kapur maxhorancën Shah-Mat.

Presidenti si zgjidhje jo vetëm për Shkodrën por edhe për të gjithë Shqipërinë shikon datën 13 Tetor.

Kjo datë zgjedhjesh e dekretuar nga presidenti ka mbetur thjesht një dëshirë në sirtarin presidencial për aq kohë sa KQZ as që e ka marrë mundimin ta diskutojë dekretin e 13 Tetorit e jo më të nisë përgatitjet për zgjedhjet.

Kristaq Kume ish kreu KQZ në një intervistë për Top-Channel tha se zgjedhjet e parakohshme në Shkodër kalojnë vetëm përmes një dekreti të presidentit dhe se çdo zgjidhje tjetër do të jetë e sforcuar.

Përballë situate duket se maxhoranca do të shkojë drejt një zgjidhje të sforcuar, kjo e imponuar nga qasja e presidentit për Shkodrën./Muhamed Veliu, Top Channel