Kryesore “Skenari maqedonas i LSI-PD për të shkarkuar ambasadorin Lu”

“Skenari maqedonas i LSI-PD për të shkarkuar ambasadorin Lu”

Siguria kombëtare dhe pasiguria politike

Nga Mero Baze

Rezultati i parë mbresëlënës i mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, është fakti që politika shqiptare u ripozicionua politikisht në raport me temën e rendit të ditës së Këshillit.

Pas betejës publike të SHBA me kryeprokurorin Adriatik Llalla, palët kanë marrë pozicion ndaj dy palëve, dhe ky pozicion ka shumë shanse të diktojë të ardhmen politike të Shqipërisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe qeveria shqiptare, u përcaktuan me qëndrimet e tyre kundër Kryeprokurorit, ndërsa Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, pro tij.

Më i ndershmi në këtë histori është Ilir Meta, i cili doli hapur kundër ambasadorit të SHBA në Tiranë dhe pro Kryeprokurorit, duke folur me të njëjtën gjuhë dhe sintaksë, që zoti Llalla foli një ditë më parë kundër Ambasadës së SHBA në Tiranë.

Më frikacak u shfaq Lulzim Basha, i cili dukej sikur në gjysmën e fjalisë i dilte para fytyra e nxirë e Berishës dhe në gjysmën tjetër fytyra e skuqur e ambasadorit Lu. Kështu, ai citonte vetëm gjysëm fjalie nga ambasadori Lu dhe pastaj bënte të paditurin për konfliktin publik.

Qeveria shqiptare nga ana e saj i ka shprehur mbështetje zotit Lu dhe qëndrimeve të tij publike, dhe sot Bashkimi Europian ka shprehur po ashtu mbështetjen e tij publike për punën e ambasadorit të SHBA, në raport me reformën në drjetësi dhe betejën kundër korrupsionit.

Ky skaner i ri i skenës politike shqiptare, tregon se politikisht, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, janë brenda një linje. Ato ndjehen të penduara për nxitimin e miratimit të reformës në drejtësi dhe shajnë nën dhëmbë për këtë, presionin e SHBA dhe Bashkimit Europian, të “personalizuara” sipas tyre, tek Donald Lu dhe Romana Vlahutin.

Ata janë të vendosur ta bëjnë sa më viskoz këtë proces, që të zgjasë zbatimi i saj, dhe kanë një bindje të palëkundur, se presidenti Trump do t’i bashkohet qëndrimit të tyre në këtë pikë, duke i shpallur fajtorë ata që kanë bërë reformën në drejtësi, pra paraardhësit e tij, dhe sidomos mënyrën se si ka operuar ambasadori Lu për t’ia arritur këtij rezultati.

Të dyja palët janë angazhuar nën modelin maqedonas të gjejnë lobistë me pagesë në SHBA, që të inkurajojnë ligjvënës të SHBA, të kërkojnë shkarkimin e ambasadorit, për ta paraqitur atë si triumf të tyre dhe pastaj të operojnë me këtë trofe në fushatën elektorale.

Pra, qartazi në këtë fillim sezoni elektoral, ka dy vija politike, ajo e PD dhe LSI, e cila është tmerrësisht e njëjtë, dhe ajo e PS dhe disa aleatëve të saj, që është në koherencë me vijën formale të Bashkimit Europian dhe SHBA. Ky perceptim i ri politik e bën shumë më politike aleancën PD-LSI dhe shumë statistikore aleancën PS-LSI.

Nga ana tjetër, është për t’u shënuar se ky precipitim i situatës ka ardhur pas ceremonisë së inaugurimit të presidentit Trump, ku politikanë të opozitës dhe LSI, ishin në Uashington si pjesëmarrës në mitingun e inaugurimit.

Pas një takimi të Ilir Metës me një nga zyrtarët e drejtësisë në SHBA, i cili i ka përmendur atij, siç e pohon dhe vetë, Klement Balilin dhe interferencën politike me të, ai ka nisur një aksion politik shumë energjik, duke tentuar distancimin e menjëhershëm prej Balilit.

Për këtë ai futi në lojë Këshillin e Sigurimit Kombëtar dhe kryeprokurorinë, që e ndërseu kundër policisë, me shpresë se kështu perceptimi në Uashington do të ndryshojë, duke e quajtur këtë informacion si komplot të ambasadorit Lu dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Tani, në përpjekje për të shpëtuar LSI-në nga Klement Balili dhe në përpjekje për të gjetur aleatë në këtë betejë, Ilir Meta është përfshirë hapur në konflikt me ambasadorin amerikan Donald Lu, duke i dhënë të drejtë Kryeprokurorit, përkundër qëndrimeve zyrtare të SHBA dhe BE, për çështjen në fjalë, dhe ka ngelur pa kundërshtarë në betejën kundër policisë, pasi Edi Rama nuk e ka konsideruar fare provokim, fushatën e arrestimeve në polici, por ia ka lënë atë drejtësisë.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar për Klement Balilin, në vend të tij, në burg kemi disa shefa policie që s’kanë lidhje me të, dhe politikën shqiptare të ndarë për shkak të tij. Është goxha zhvillim po të kesh parasysh që bëhet fjalë për një njeri periferik të shoqërisë shqiptare, që më shumë se ka punë me drejtësinë, po bëhet i rëndësishëm se ka pasur punë me politikën. Dhe është kjo arsyeja që pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar, në vend të sigurisë kombëtare, kemi si produkt pasigurinë politike.