Politika Socialistët europianë: Shqipërisë t’i hapen negociatat, dështimi do të ulte besueshmërinë tek...

Socialistët europianë: Shqipërisë t’i hapen negociatat, dështimi do të ulte besueshmërinë tek BE-ja

Presidenti i PES, Partive Socialdemokrate Europiane, Sergei Stanishev iu drejtua sot Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, ku i kërkon fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Të mos konsiderosh arritjet e dy vendeve, së bashku me politikën dhe angazhimet tona të Zgjerimit tani, sipas Stanishev, “do të ishte një gabim i rëndë strategjik”.

Letra e plotë:

I nderuar president,

Diskutimet e Këshillit për Çështjet e Përgjithshme më 15 tetor 2019 për zgjerimin kanë dështuar duke mos qenë në gjendje për arritjen e një marrëveshjeje unanime të Ministrave për hapjen e negociatave të pranimit në BE për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërinë.

Ndërkohë që si president i Këshillit Europian është e drejta juaj për të organizuar axhendën e këtyre samiteve, në emër të familjes progresive europiane, ju lutem më lejoni t’Ju nxis që t’i kushtoni rëndësi çështjes së zgjerimit në axhendën e mbledhjes së ardhshme të Këshillit Europian.

Unë besoj se nuk është as e domosdoshme që të ritheksojmë madhësinë dhe rëndësinë strategjike të çështjes së zgjerimit në BE dhe as të përmendim argumentet e shumta të bëra tashmë në prag të këtij takimi vendimtar të Këshillit.

Unë i vlerësoj përpjekjet dhe angazhimet tuaja personale që keni bërë deri më tani.

Megjithatë, ju lutem më lejoni të këmbëngul në nevojën për një përpjekje përfundimtare, një shans të fundit për të arritur një marrëveshje midis të gjithë liderëve europianë lidhur me këtë çështje. Duke pasur parasysh rëndësinë e saj që lidhet me interesat strategjike, ekonomike dhe të sigurisë së BE-së, ne besojmë se krerët e shteteve apo qeverive tona duhet të njihen me mundësinë për të diskutuar më tej çështjen personalisht.

Partia e Socialistëve Europianë, përfshirë krerët e shteteve apo qeverive të familjes sonë politike, e kanë mbështetur gjithmonë procesin e integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nuk kemi ndalur asnjëherë së angazhuari pozitivisht për të çuar përpara reformat e nevojshme, në bashkëpunim të ngushtë me partitë, liderët, institucionet dhe shoqërinë civile në rajon, madje edhe në momentet kur politika e zgjerimit nuk ka qenë në krye të axhendës së BE-së.

Ne e bëjmë këtë me bindjen se këto vende i përkasin komunitetit tonë të popujve, unionit tonë të vlerave të përbashkëta, paqes, sigurisë dhe prosperitetit, dhe ne nuk duhet të kursejmë asnjë përpjekje për t’i ndihmuar ata të arrijnë të njëjtin nivel të zhvillimit që ne gëzojmë sot në BE.

Ne besojmë se këto vende nuk janë vetëm pjesë e së kaluarës së Europës, por gjithashtu ato duhet të jenë pjesë integrale e së ardhmes së BE-së. Ne duhet të shkojmë në të njëjtin drejtim, megjithëse me një ritëm të ndryshëm, në vend që t’i anashkalojmë vendet deri në të ashtuquajturën “koha e duhur”, që duket se nuk do të vijë kurrë ose nuk do të jetë kurrë e përshtatshme për të gjithë.

Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria në veçanti kanë ecur në një rrugë të gjatë dhe të vështirë për ta parë veten e tyre në prag të hapjes së negociatave. Në bazë të kritereve të përcaktuara dhe të një procesi rigoroz, Komisioni Europian, i ngarkuar për menaxhimin e këtij procesi, ka pranuar se ato kanë bërë punën e  nevojshme për të kaluar në fazën tjetër. Si drejtues i familjes sonë politike, ju lutem më lejoni të them se në aspektin politik ato kanë bërë shumë më tepër sesa standardet e kërkuara.

Duke udhëhequr kombet e tyre, kryeministrat progresistë Zoran Zaev dhe Edi Rama kanë investuar kapital të rëndësishëm politik duke ndërmarrë reforma të dhimbshme dhe vendime të vështira për përparimin drejt rrugën së tyre europiane.

Marrëveshja e Prespës midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, për shembull, që zgjidhi mosmarrëveshjen e gjatë për emrin midis dy vendeve, nuk ishte më pak se sa historike. Ajo ishte një demonstrim i gjallë i vendosmërisë së lidershipit politik të këtyre vendeve për të kthyer faqen e konfrontimit në rajon dhe për t’i çuar këto vende drejt një epoke të re të bashkëpunimit europian, solidaritetit dhe miqësisë së sinqertë.

Negociatat para anëtarësimit nuk duhet të shihen thjesht si një shpërblim, por si një proces me vlera reale të shtuara, që u siguron vendeve dhe BE-së levën e nevojshme për të përmirësuar arritjet e mëparshme, të ngritura mbi përparimin e bërë dhe në përafrimin e mëtejshëm të këtyre vendeve me politikat dhe standardet e BE-së. Pa mbështetjen tonë, për këto vende do të jetë shumë më e vështirë për të për të bërë atë që duhet. Kjo është arsyeja e vërtetë e ekzistencës së politikës së Zgjerimit, që njihet gjerësisht si një nga politikat më të suksesshme të BE-së.

Mosrespektimi i arritjeve të të dy vendeve, së bashku me politikën dhe angazhimet tona të Zgjerimit, do të ishte tani një gabim i rëndë strategjik. Si kryeministër i Bullgarisë në kohën e pranimit tonë në BE, unë personalisht e njoh shumë mirë punën e vështirë që duhet gjatë procesit të negociatave si dhe atë në fazën përfundimtare. Unë gjithashtu di që frika e shtyrjes së mëtejshme ka peshë në opinionin publik.

Perspektiva për të arritur qëllimin më të rëndësishëm kombëtar, që duket se po rrëshqet nëpër gishta dhe po zhduket, megjithë përpjekjet e shumta të një kombi të tërë dhe jo vetëm të administratës publike, ushqen zhgënjim dhe irritim në shoqëri.

Nëse BE-ja nuk i respekton angazhimet e saj tani, ky zhgënjim në shoqëritë e tyre vetëm sa do të thyejë besimin që ata kanë tani te BE dhe do të nxisë populizmin dhe nacionalizmin destruktiv anti BE. Ne nuk mund të lejojmë që ringjallja e nacionalizmit të minojë përpjekjet drejt paqes dhe pajtimit në këtë rajon ende të brishtë të demokracive të reja, ku plagët e së kaluarës nuk janë shëruar ende plotësisht. Kjo nuk është në interesin më të mirë të BE-së dhe padyshim që do të luajë rol në duart e lojtarëve të tjerë, të cilët po presin me padurim të plotësojnë boshllëkun që ne lëmë pas.

Prandaj, unë kam frikë se dështimi mosarritja jo vetëm që do të minojë besueshmërinë e BE-së, por do të rrezikojë edhe politikën e zgjerimit dhe do të prishë procesin e integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor në të ardhmen. Ne nuk duhet të dështojmë.

Këtë ia kemi borxh jo vetëm popujve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të gjithë qytetarëve të BE-së, të cilët presin veprime vendimtare dhe lidership  të përgjegjshëm dhe jo vetëm “sinjale”.