Sport Sokol Cikalleshi largohet nga Goztepe, Sadiku në huazim

Sokol Cikalleshi largohet nga Goztepe, Sadiku në huazim

Sokol Cikalleshi ndërpret bashkëpunimin me skuadrën e Goztepes në Superligën e Turqisë, ku ishte huazuar nga Osmanlispori. Është vetë klubi turk, që e bën publik lajmin në faqen e tij në Facebook. Në njoftim shkruhet se me marrëveshje të dyanshme, klubi dhe futbollisti kanë vendosur të mos e vazhdojnë më huazimin.

Në pjesën e dytë të këtij sezoni sulmuesi i kombëtares shqiptare do të luajë te Osmanlispori në ligën e parë turke pasi është aktivizuar për pak minuta në fillim të këtij sezoni me skuadrën e Ligës së Parë turke dhe pavarësisht interesimit të Akhisar, Cikalleshi nuk mund të aktivizohet më me një tjetër skuadër në këtë sezon pasi nuk e lejon rregullorja e FIFA-s. Osmanlispori, që zotëron kartonin e Cikalleshit, renditet në vendin e 6-të në Ligën e Parë të Turqisë, pra në zonën play off, me Cikalleshin që do të synojë që me golat e tij të rikthejë klubin nga Ankaraja në Superligën turke, edhe pse kurrsesi nuk mund të përjashtohet mundësia që Cikalleshi të transferohet në një kampionat që fillon në vitin 2019-të, si Major League Soccer, apo edhe në vendet aziatike e ato skandinave.

Sadiku në huazim

Prej ditësh përflitet për një largim të Armando Sadikut nga spanjollët e Levantes. Hapësirat tek klubi nga Valencia për shqiptarin janë të pakta, për të mos thënë zero dhe kështu ai detyrohet të lëvizë në Zvicër, tek Lugano.

E përditshmja spanjolle “Marca” e konfirmon largimin e shqiptarit nga Levante. Ai do të huazohet tek ekipi që ka luajtur përpara dy sezonesh deri në qershor, kur mbarojnë dhe ndeshjet e kampionatit. Fakti që është dhënë në huazim Sadiku, tregon se klubi spanjoll beson tek cërrikasi dhe tek forma e tij e mirë.

Dëmtimi që pësoi e mbajti atë jashtë fushave dhe njëherësh larg formës së tij optimale. Një operacion në gju është i rëndë dhe shumë lojtarë të tjerë të kalibrit botëror e kanë pasur shumë të vështirë rikuperimin. Kujtojmë që Sadiku është pjesë e ekipit të Levantes që në janarin e kaluar, pasi u transferua nga Legia e Varshavës për 1 milionë euro.  Sulmuesi kuqezi i ka munguar shumë edhe Kombëtares, pasi repartin ofensiv e ka “kapluar” thatësira.