Sport Solari i përgjigjet Guardiolës: Na neglizhoi qëllimshëm, jemi më të mirët në...

Solari i përgjigjet Guardiolës: Na neglizhoi qëllimshëm, jemi më të mirët në histori

Santiago Hernan Solari u shfaq para mediave, në prag të çerekfinales së Kupës së Mbretit, që Real Madridi do ta luajë të enjten, kundër Girona. Trajneri i të bardhëve foli edhe për kolegun e tij, Pep Guardiola, i cili la jashtë Real Madridin, kur u pyet për tri ekipet më të mira, sipas tij, të dekadës së fundit (zgjodhi Barcelonën, Bayern Munich dhe Juventus).

A është kalimi në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit detyrim, për shkak të zhbilancimit në garën për titull?

Ne po luftojmë në të gjitha garat. Më konkretisht, kemi synimet tona maksimale në të tria frontet, ku do të luftojmë deri në fund. Lojtarët e mi e dinë këtë, ndaj pres prej tyre intensitet, përpjekje, përkushtim në të gjitha ndeshjet. Dua t’i lënë këmbët në fushë, të vendosin zemrën e tyre në funksion të objektivave.

Guardiola zgjodhi tri ekipet e tij më të mira të dekadës së fundit dhe la jashtë Real Madridin…

Duket një neglizhim i qëllimshëm. Ne nuk luftojmë vetëm për një dekadë, teksa Real Madridi është klubi më i mirë i shekullit dhe i historisë. Kjo është thënë, është edhe klubi më i mirë i dekadës së fundit. Më vjen çudi, sepse ai kurrë nuk nënvlerëson askënd. Kurrë dhe në çdo situatë.

Kush është titullari, Vinicius apo Bale?

Vendimet janë të përpikta, secili lojtar ka karakteristikat e veta. Lajmi i madh është se pothuajse të gjithë lojtarët, me përjashtim të Vallejo, që tashmë po trajnohet në fushë, janë me ne. Kjo gjeneron atë konkurrencë të brendshme, që është kaq e shëndetshme në futboll.