Sport Solskjaer: Pogba e meriton të jetë kapiteni i Manchester United

Solskjaer: Pogba e meriton të jetë kapiteni i Manchester United

Ole Gunnar Solskjaer e ka quajtur Paul Pogba “një lider” dhe këmbëngul se nuk do të mendohet dy herë për t’ia dorëzuar shiritin e kapitenit të Manchester United.

Kujtojmë se më herët, këtë sezon, Jose Mourinho e shkarkoi francezin si zv.kapiten në “Old Trafford”.

“E vetmja e vërtetë është se unë vendosa që Paul të mos jetë më kapiten i dytë, – tha Mourinho në shtator 2018. – Ishte pikërisht i njëjti person, që vendosi që Paul të ishte kapiteni i dytë: unë. Nuk ka pasoja fare, janë vetëm vendime, që nuk kam pse t’i shpjegoj”.

Megjithatë, tani, trajneri i përkohshëm Solskjaer këmbëngul se nuk do të hezitonte ta bënte Pogba kapiten të skuadrës së tij, pasi ka parë te mesfushori kampion bote nivel të lartë si futbollist dhe cilësi lidershipi: “Përfundimisht, unë do ta konsideroja atë për kapiten, sepse e njoh Pogba që më parë. Ai është një lider. Eshtë djalë me karakter, ndikon shumë te njerëzit që ka përreth. Nëse keni parë videot e tij me Francën, Paul dëshiron të jetë i suksesshëm.

Ai e di se këtë nuk mund ta bëjë i vetëm në futboll, sepse kjo është një lojë grupi. Shikoni çfarë personaliteti ka, ai e do futbollin. Dhe mos harroni se ka fituar Kupën e Botës. Pra, për mua, po, ai i ka vetitë e një kapiteni të vërtetë”.