Sport Sondazh trajnerësh te Milani, kuqezinjtë mund t’i besojnë sërish një Inzagi

Sondazh trajnerësh te Milani, kuqezinjtë mund t’i besojnë sërish një Inzagi

Teksa Xhenaro Gatuzo vijon punën për të ruajtur vendin e katërt nga sulmet e rivalëve, drejtuesit e Milanit mendojnë për të ardhmen e stolit. Duket shumë e vështirë që Rino do të vazhdojë përvojën te kuqezinjtë, pavarësisht se i mbeten edhe dy vite kontratë. Pas Sarrit, Emerisë dhe Garsias, dje kanë dalë të tjera kandidatura potenciale për detyrën e trajnerit të “Djallit”. Eusebio di Françesko është një tjetër emër që i shtohet listës së drejtuesve. Pas përvojës me Romën, ish-trajneri i Sasuolos mund të shohë veten në stolin e një tjetër ekipi të madh në Itali.

Drejtuesit vijojnë të analizojnë Gatuzon dhe t’i konfirmojnë besim, por në anën tjetër mund të vendosin të investojnë në një profil premtues si Roberto De Zerbi. Bëhet fjalë për një trajner shumë të ri në moshë, por që më Sasuolon po tregon gjëra interesante. Në mungesë Champions-i, Milani mund t’i besojë pikërisht 39- vjeçarit për të ngritur gjatë sezonit të ardhshëm një ekip sa solid aq edhe argëtues, duke qenë se me Gatuzon skuadra po zhytet gjithnjë e më shumë në krizë identiteti, përveçse rezultatesh.

Nga ana e tij, Leonardo, që kurrë nuk ka pasur një raport ideal me Gatuzon, mendon për Simone Inzagin. Trajneri lacial simpatizohet shumë nga Leo jo vetëm për ideologjinë e lojës që propozon, por edhe për mënyrën sesi menaxhon minutazhin e lojtarëve. Bilancet do të bëhen në fund të sezonit, kur Milani do të vendosë për trajnerin, pasi të mësojë renditjen përfundimtare në kampionat. Eliminimi i së mërkurës nga Kupa e Italisë e ka përforcuar edhe më shumë mendimin e brazilianit për sa i përket trajnerit të Lacios, sepse edhe bardhekaltrit nuk vinin nga një moment pozitiv, por ndaj Milanit nuk “belbëzuan” për asnjë moment duke arritur një fitore dhe kualifikim në finale më se të merituara.