Bota Sondazhi: Amerika po shkon drejt ndarjes

Sondazhi: Amerika po shkon drejt ndarjes

Zhvillimet e javëve të fundit i kanë bindur amerikanët se vendi po përçahet. Dhe këtë bindje e kanë si demokratët, edhe republikanët. Një sondazh i kryer së fundmi nga Axios-Ipsos gjeti se 4/5 e tyre mendojnë se Amerika po shkon drejt ndarjes. 22% e demokratëve dhe 19% e të pavarurve thonë se nuk janë krenarë që janë amerikanë. Të njëjtën gjë thonë edhe 7% e republikanëve dhe 17% e amerikanëve në tërësi.

Sipas sondazhit, mbështetja për largimin e Donald Trump nga Shtëpia e Bardhë është rritur me 5 pikë që nga sulmi në Capitol Hill disa ditë më parë.

Megjithatë, edhe vetë republikanët janë të ndarë mes asaj që shihet si trampizmi brenda gjirit të partisë dhe republikanëve tradicionalë.

Sidoqoftë, mbështetësit besnikë të Trumpit mbeten të palëkundur. Në shifra, pak më shumë se 1/4 e amerikanëve dhe rreth 2/3 e republikanëve e mbështesin kontestimin që ai i ka bërë rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.

Gjetjet e detajuara

Mbështetësit e Trump në shumicë dërrmuese (91%) janë pro kontestimit të rezultatit të zgjedhjeve; Republikanët tradicionalë janë më të përzier (46% e mbështesin, 36% e kundërshtojnë).

Mbështetësit e Trump pajtohen (96%) se Trump e bën Partinë Republikane më të mirë; Republikanët tradicionalë janë më të ndarë në këtë pikë (51% pajtohen, 47% nuk pajtohen).

Mbështetësit e Trump duan ta shohin atë në garën presidenciale të vitit 2024 (92%); Republikanët e tjerë kanë më pak gjasa të bien dakord (41% pajtohen, 58% nuk pajtohen).

Është rritur numri i amerikanëve që thonë se Donald Trump duhet të largohet menjëherë nga detyra. Sidoqoftë, ndarjet kryesore partiake mbi këtë çështje vijojnë të mbeten.

Pesëdhjetë e gjashtë për qind e amerikanëve pajtohen që Presidenti Trump duhet të largohet menjëherë, nga 51% që ishin në fund të javës së kaluar.

Liberalët (92%) dhe demokratët e moderuar (92%) bien dakord për largimin e Trump.

Përkrahësit e Trump (94% nuk pajtohen) dhe republikanët tradicionalë (66% nuk pajtohen) janë kundër.