Bota Sondazhi: Përkrahësit e Trumpit dhe amerikanët me ngjyrë nuk duan të vaksinohen

Sondazhi: Përkrahësit e Trumpit dhe amerikanët me ngjyrë nuk duan të vaksinohen

Rreth 71% e amerikanëve thonë se me shumë mundësi do të marrin një vaksinë kundër koronavirusit, sipas një sondazhi të kryer nga Fondacioni Kaiser Family.

Por, amerikanët me ngjyrë, personat nga 30-39-vjeç, njerëzit që jetojnë në zona rurale dhe republikanët janë më hezitues për të marrë dozat.

Një e treta e të anketuarve thanë se duan të bëjnë një vaksinë, sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa 39% thanë se do të presin dhe do të shohin, se si shkon vaksinimi fillestar përpara se ta bëjnë vetë.

Ndërsa rreth 15% e të anketuarve thanë se nuk do të vaksinoheshin.

“Ky grup përbëhet në mënyrë disproporcionale nga republikanët dhe nga njerëzit me jo më shumë se një arsim të nivelit të shkollës së mesme”, tha Kaiser në një deklaratë.

Po ashtu, rreth 9% e të anketuarve, raportuan se do të merrnin një vaksinë vetëm nëse kërkohej nga puna, shkolla ose janë të detyruar nga rrethanat.

“Gati një në katër republikanë nuk duan të vaksinohen sepse nuk besojnë se COVID përbën një kërcënim serioz”, tha Mollyann Brodie, nënkryetare ekzekutive me Fondacionin e Familjes Kaiser.

“Do të jetë një sfidë e vërtetë për të zhbërë mohimin e COVID-it midis kësaj pjese të bazës politike të Presidentit Trump.”