Kryesore Sondazhi që trazoi LSI-në: Të gjitha polemikat dhe konspiracionet

Sondazhi që trazoi LSI-në: Të gjitha polemikat dhe konspiracionet

Nëse qytetarët shqiptarë do të votonin sot për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, Partia Socialiste do të fitonte zgjedhjet me 43% të votave.

Rezultatet e sondazhit të parë për votën kombëtare i realizuar nga Ora Neës dhe IPR Marketing rendisin forcë të dytë Partinë Demokratike me 36%, pas saj vjen Lëvizja Socialiste për Integrim me 12% dhe LIBRA me 2.3%.

Ndërkohë të gjitha partitë e tjera si PR apo PDIU nuk kalojnë pragun.

Por ky sondazh ka trazuar keq politikën shqiptare, sidomos Lëvizjen Socialiste që mori një goditje për propagandën e saj se do të dalë forcë e parë.

Të vetmet që nuk kanë reaguar deri tani për sondazhin janë dy elefantët e politikës, PS dhe PD.

Partia e parë që reagoi ishte LSI-ja. Madje kjo parti ka nisur ta godasë me të gjithë artilerinë e saj sondazhin.

Deputetja e LSI-së, Silva Caka e ka cilësuar sondazhin si “konsensual”, ka ironizuar edhe paktin Rama-Basha, duke lënë të nënkuptohet se sondazhi ka qenë i porositur.

Caka duke e cilësuar sondazhin si qesharak, thekson se LSI-ja do të jetë forcë e parë.

Ndërkohë që të gjitha mediat pranë LSI-së kanë nisur konspiracione për sondazhin, duke dhënë teori nga më të ndryshmet, edhe pse Ora News, njihet si një televizion pranë Ilir Metës.

Megjithatë për ta shtuar dozën e akuzave ndaj sondazhit ka reaguar sot edhe kreu i Grupit Parlamentar i LSI-së, Luan Rama.

Rama tha se LSI del e para në Berat dhe Gjirokastër dhe do “luftojë” përballë PS në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Fier.

Asnjë kushtëzim nuk ka pasur LSI prej faktit nëse opozita do të futet apo jo në zgjedhje. Ju siguroj se do kisha të njëjtën garanci edhe nëse do isha i dhjeti. Luftojmë përballë PS për vendin e parë në Tiranë, në Durrës, Elbasan, në Fier, absolutisht qe jemi të parët në Berat dhe Gjirokastër”, tha Luan Rama.

Gjatë konferencës për shtyp, Rama ritheksoi se LSI do të jetë forcë e parë pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me sondazhin e IPR Marketing, që e nxirrte LSI-në të tretën, pas PS-së dhe PD-së, me 12%, Rama tha se nuk  i referohet sondazheve klienteliste e të manipuluara.

Nuk i referohem sondazheve klienteliste, të manipuluara dhe të pavërtetë. Për vlerën reale të mbështetjes do jemi këtu gjatë gjithë ditëve të fushatës, me 26 qershor në mëngjes, do shohim LSI-në forcë e parë, dhe forcë qeverisëse kryesore,” tha nënkryetari i LSI-së.

Por të kundërtën mendon kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

Sipas Idrizit, sondazhi është i sponsorizuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes së cilës i ushtron presion kryeministrit Rama.

“Këto janë sondazhe të sponsorizuara nga LSI, përmes të cilëve shantazhin PS-në  për koalicion qeverisës pas 25 qershorit. Sigurisht që iu leverdis të zhbëjnë gjurmën e PDIU-së, për ta eliminuar si aleate  në qeveri PS+PDIU”, ka deklaruar Idrizi.

Edhe kreu i LIBRA, deputeti Ben Blushi ka reaguar në lidhje me sondazhin e publikuar mbrëmë nga IRP Marketing mbi partitë që do të garojnë me 25 qershor.

Ai shkruan se nuk i beson atij sondazhi, pasi nuk ka asnjë popull qe voton një qeveri 90%.

Sipas një sondazhi Qeveria Rilindje-Çadra-LSI merr 90 për qind te votave.

A ka popull që voton 90 për qind një qeveri? Sigurisht që jo. Prandaj nuk mund ti besoj sondazhit. LIBRA do marrë të gjitha votat e atyre që janë kundër Qeverisë dhe janë shumicë.

Ky është ndryshimi i LIBRA me të tjerët.

Ata duan të ndryshojnë popullin me ndihmën e Qeverisë, ne duam të ndryshojmë Qeverinë me ndihmën e popullit”, shkruante Blushi në Facebook./American Eye