Bota Sondazhi: Shumica e amerikanëve mendojnë se Biden nuk është mjaft i ashpër...

Sondazhi: Shumica e amerikanëve mendojnë se Biden nuk është mjaft i ashpër me Rusisë

Shumë amerikanë vazhdojnë të ngrenë pikëpyetje nëse Presidenti Joe Biden është treguar mjaftueshëm i ashpër me përgjigjen e tij ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë. Megjithatë shumica i mbështet hapat që Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin lidhur me këtë çështje, ndërsa një numër më i vogël duan që trupat amerikane të përfshihen në konflikt.

Sipas një sondazhi të agjencisë së lajmeve “Associated Press” dhe Qendrës për Kërkime e Çështjeve Publike “NORC”, 54% e amerikanëve mendojnë se Presidenti Biden nuk ka qenë mjaft i ashpër në përgjigjen e tij ndaj sulmit rus në Ukrainë. Tridhjetë e gjashtë për qind (36%) mendojnë se qasja e tij ka qenë e drejtë, ndërsa 8 për qind thonë se ai ka qenë shumë i ashpër.

Por ndërsa lufta vazhdon, dëshira e amerikanëve për t’u përfshirë në të është zbehur disi. Tridhjetë e dy për qind e amerikanëve thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të ketë një rol të madh në konflikt. Kjo shënon një ulje nga 40% që mendonin në këtë mënyrë muajin e kaluar, por mbetet pak më e lartë se 26% që mendonin kështu në muajin shkurt. Ndërkohë 49% e amerikanëve thonë se SHBA-të duhet të ketë një rol të vogël në konflikt.

Rezultatet e vendosin Shtëpinë e Bardhë përballë pyetjesh të vështira. Ndërsa imazhet e sulmeve të Rusisë ndaj civilëve e spitaleve vijojnë të shpërndahen në mbarë botën, është rritur trysnia për të ndaluar Presidentin rus Vladimir Putin dhe për të ndihmuar miliona ukrainas, që ndodhen në vend, apo që po largohen për shkak të luftës. Por Presidenti Biden duhet të menaxhojë mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve me Rusinë e parandalojë përfshirjen e SHBA-ve në një konflikt shumë më të madh, në një kohë kur Kremlini ka kërcënuar me mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore.

Gjatë një fjalimi javën e kaluar Drejtori i CIA-s William Burns tha se nuk duhet marrë lehtë kërcënimi i paraqitur nga Moska për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore taktike, duke patur parasysh, siç u shpreh ai, dëshpërimin e mundshëm të Presidentit Putin mbi pengesat dhe problemet me të cilat po përballen ushtarakisht në Ukrainë.

Burns shtoi se deri më tani Uashingtoni nuk ka parë shumë prova praktike se Rusia po përshkallëzon përpjekjet për një sulm bërthamor.

Shtëpia e Bardhë ka autorizuar më shumë se 2 miliardë dollarë ndihmë në armatime për Ukrainën dhe ka udhëhequr sanksionet perëndimore që kanë dëmtuar rëndë ekonominë ruse. Presidenti Biden e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave amerikane atje, një vendim që mbështetet nga shumica e amerikanëve.