Aktualitet Sondazhi: Të rinjtë shqiptarë e “humbasin” kohën kafeneve dhe online

Sondazhi: Të rinjtë shqiptarë e “humbasin” kohën kafeneve dhe online

Sipas një studimi të kryer nga Fondacioni “Friedrich Ebert” në Tiranë, të rinjtë shqiptarë harxhojnë çdo ditë mesatarisht 3.9 orë online.

Për meshkujt kjo kohë është dhe pak më e madhe dhe shkon te 4.1 orë në ditë. Ky trend është në një rritje të vazhdueshme nga 3.2 orë të shpenzuara online në vitin 2014 dhe 2.9 orë në 2011-n.

Por nuk janë këto aktivitetet e vetme, pasi kafenetë zënë një pjesë të konsiderueshme të jetës së të rinjve shqiptarë. Gjysma e të rinjve të pyetur e kalojnë shumë shpesh kohën e lirë duke frekuentuar kafene dhe lokale, ndërkohë që 21 për qind e bëjnë këtë me raste.

Megjithatë, 15 për qind e të rinjve pohojnë se nuk shkojnë kurrë në kafene dhe lokale në kohën e lirë, kurse 18 për qind prej tyre i frekuenton ato shumë rrallë.

Vetëm një e treta e të rinjve shpenzon rregullisht kohë të lirë duke lexuar libra, 19 për qind e bëjnë këtë vetëm me raste, ndër-kohë që gjysma tjetër e tyre lexon shumë rrallë (28 për qind) ose nuk lexon kurrë (22 për qind).

Gjithashtu, 28 për qind e femrave, krahasuar me vetëm 5 për qind të meshkujve, nuk dalin kurrë me miqtë ose e bëjnë këtë gjë shumë rrallë, shkruan Monitor.