Sport Sormani: Trashi, më i miri në Ballkan. Prisni një derbi spektakolar

Sormani: Trashi, më i miri në Ballkan. Prisni një derbi spektakolar

Adolfo Somani karikon Partizanin në prag të derbit me Tiranën, që do të zhvillohet në “Air Albania”, këtë të premte në orën 19:00. Në konferencën për shtyp të pragndeshjes, tekniku i të kuqve u mundua të largonte presionin nga skuadra e tij.

Ndër të tjera, trajneri italian i Partizanit nënvizoi: “Ky do të jetë derbi i dytë për mua. Në fakt, unë e shoh si një ndeshje mes dy skuadrave që luftojnë për titullin kampion. Këtë gjë ua kam transmetuar edhe lojtarëve të mi, që nga fillimi i javës. Për mua mbetet një ndeshje për t’u fituar, edhe pse është derbi. A i druhem Tiranës, me 8 fitore dhe një barazim radhazi? Respekt kam për të gjithë dhe gjithmonë, frikë nuk kam absolutisht.

Kemi punuar fort dhe me entuziazëm gjatë kësaj jave, mendoj se do të japin gjithçka në fushën e lojës. Hyjmë gjithmonë për të fituar e për të dhënë gjithçka. Nuk kam asnjë presion si trajner, thjesht dua që ta fitojmë këtë ndeshje. Duket shumë e thjeshtë kjo frazë, por vërtet duhet fituar kjo ndeshje, për shumë arsye që nënkuptohen në këtë moment të kampionatit. Pikë së pari, dua fitore për të qenë aty, në garën për titullin. Skuadra është gati të bëjë më të mirën.

Trashi nuk do të luajë, më vjen vërtet keq. Që kur kam ardhur këtu, ai është përmirësuar shumë. Për mua është mbrojtësi i majtë më i mirë në të gjithë Ballkanin. E kam parë se si punon. Më vjen keq, duke ditur se mezi priste të luante në këtë ndeshje. Na ka kërkuar të fitojmë dhe do të bëjmë gjithçka që t’ia plotësojmë dëshirën.

Mala në ekipin e parë? Nuk luan që prej 10 dhjetorit me Partizanin që drejtoj, por është një lojtar, që nuk e ka problem formën fizike. Ka qenë mjaft pozitive mikpritja që skuadra i ka bërë ditën e djeshme. Është e rëndësishme që një i familjes i bashkohet skuadrës së parë. Ka cilësi mjaft të mira. Cilin veçoj nga Tirana? Njoh lojtarë si Torasa dhe Batha, që i kam stërvitur. I njoh si lojtarë dhe si njerëz. Gjëja më e rëndësishme është që stadiumi të jetë plot. Do të jetë një derbi i luftuar dhe spektakolar”.