Bota Soros sulmon Zuckerbergun: Koha për të ikur nga Facebook

Soros sulmon Zuckerbergun: Koha për të ikur nga Facebook

Miliarderi George Soros ka kërkuar nga Mark Zuckerberg dhe Sheryl Sandberg që të largohen nga drejtimi i Facebook-ut.

Ai shkroi në një letër drejtuar Financial Times se refuzimi i Facebook-ut për të hequr reklamat politike po ndihmon Donald Trump që të rizgjidhet si President i Amerikës.

Letra u botua përpara vizitës së Zuckerberg në Europë, gjatë së cilës ai do të kërkojë nga liderët e BE-së për një legjislacion të butë. Por, propozimet e Zuckerberg kanë marrë një reagim të vakët në Europë, raporton BBC. Ai dëshiron të ndryshojë rregulloret aktuale në lidhje me përmbajtjen e dëmshme në platformat e Internetit. Thierry Breton, Komisioneri Evropian për Industri, tha që BE nuk do të përshtatet me kompaninë, por duhet të bëjë të kundërtën.

Në një letër të shkurtër për Financial Times, Soros, i njohur gjithashtu si një financier i Partisë Demokratike në Amerikë, thekson: “Duket se Z. Zuckerberg ka një bazë të përbashkët me Donald Trump për ta ndihmuar atë në rizgjedhjen e tij.

Facebook nuk ka pse të presë rregulloren e qeverisë për të ndaluar pranimin e reklamave politike në vitin 2020 derisa të mbarojnë zgjedhjet e 4 nëntorit. Unë do të përsëris propozimin: Mark Zuckerberg dhe Sheryl Sandberg të largohen nga pozicionet që ata mbajnë në Facebook“.

Soros shtoi se ndërsa mbështet kërkesën që qeveria të miratojë akte në lidhje me rrjetet sociale, beson se Zuckerberg po ngatërron faktet kur flet për kontrollin e Internetit.

Soros njihet si një kritik i Facebook-ut, dhe në nëntor 2018, Facebook pranoi se punësoi një firmë për marrëdhënie me publikun për të nisur një fushatë kundër biznesmenit të pasur.

Firma Definers është punësuar për të eksploruar lidhjet e Sorosit me fushatën “Liria” nga Facebook. Sandberg fillimisht mohoi që Facebook kishte filluar një fushatë kundër Sorosit, por më vonë sqaroi se informacioni ishte i saktë.