Shëndet Sot, Dita Botërore kundër astmës

Sot, Dita Botërore kundër astmës

Sot është Dita Botërore kundër Astmës, me synim rritjen e diagnostikimeve dhe kujdesit për këtë sëmundje.

Dita Botërore e Astmës është vendosur në vitin 1998 dhe organizohet të martën e parë të muajit maj ndërsa këtë vit është vendosur data 7 maj.

Astma është një sëmundje inflamatore kronike e rrugëve të frymëmarrjes e karakterizuar nga kriza periodike që shfaqen kryesisht me probleme në frymëmarrje dhe spazma bronkiale, të cilat variojnë në ashpërsi dhe frekuencë nga një person tek tjetri.

Simptomat e astmës përfshijnë teshtima, kollë, dhimbje gjoksi dhe frymëmarrje të shpeshtë. Këto simptoma mund të shfaqen disa herë brenda ditës apo javës dhe mund të përkeqësohen gjatë aktivitetit fizik, natën, etj.

Astma shkaktohet nga faktorë gjenetikë dhe mjedisorë. Këta faktorë ndikojnë në ashpërsinë e astmës dhe mënyrën se si reagon ndaj medikamenteve. Kjo marrëdhënie është shpesh komplekse dhe e vështirë të kuptohet.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, kontrolli i gjendjes aktuale të astmës është një hap i domosdoshëm dhe është në përgjegjësinë e profesionistëve shëndetësorë më shumë se sa të pacientëve.