Aktualitet Sot dita me numrin më të lartë të të infektuarve që nga...

Sot dita me numrin më të lartë të të infektuarve që nga fillimi i pandemisë

Gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 42 raste të reja të infeksioneve me koronavirusin Covid-19.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se sot është dita me numrin më të lartë të të infektuarve që nga fillimi i pandemisë.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit u testuan 311 persona në total.

Nga 42 të infektuarit në një ditë, 21 raste janë në Tiranë, 9 në Shkodër, 4 në Durrës, 3 në krujë, 2 në Lushnje, 1 në Pukë dhe 1 në Berat.

“Në 24 orët e fundit janë testuar dhe ritestuar 80 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar të prekur 5 personel, ndërsa janë shëruar 8 mjekë dhe infermiere. Vetëm në 24 orët e fundit janë referuar në spitalet infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” 9 pacientë të dyshuar të cilët janë konfirmuar pozitivë dhe janë shtruar në spitalin infektiv, ku vijon të rritet numri i të shtruarve, kryesisht nga Tirana”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Rritje ka edhe të numrit të pacientëve që kanë nevojë për trajtim mjekësor. Aktualisht, 46 janë të shtruar në spital, nga të cilët 8 në terapi intensive dhe 1 në intubim. Ndërsa 1 pacient tjetër ka dalë nga intubimi.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 20 të prekur nga Covid-19, mes të cilëve 8 personel shëndetësor, duke e çuar në 980 numrin e të shëruarve që nga fillimi epidemisë.

Në vendin tonë janë aktualisht 327 persona aktivë me koronavirus, kryesisht në Tiranë dhe Shkodër, ku ka transmetime komunitare. Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 19 mijë testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1341 raste.