Aktualitet SPAK dërgon për gjykim dosjen ndaj anëtares së KPK, Etleda Çiftja

SPAK dërgon për gjykim dosjen ndaj anëtares së KPK, Etleda Çiftja

SPAK dërgon për gjykim dosjen ndaj Etleda Çiftes, anëtares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, shkallës së parë të vetingut. Çiftja akuzohet për “falsifikim të dokumenteve” dhe “fshehje, deklarim të rremë të pasurisë”.

Pas dërgimit në gjykatë do të jetë gjyqtari paraprak që do të vlerësojë nëse dosja do të kalojë për gjykim, do të kthehet në SPAK për plotësim të hetimeve, apo do të pushohet.

Etleda Çiftja, akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentit“, në formën e përdorimit, parashikuar nga neni 186 paragrafi i parë i K.Penal dhe “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë i K.Penal.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar tej dyshimit të arsyeshëm se e pandehura Etleda Çiftja, në deklaratën me nr 14568 indeksi, datë dorëzimi 17.07.2017, ka kryer deklarim të rremë te pasurise, e konkretisht në lidhje me burimin e blerjes së apartamentit të banimit, te dy parcelave tokë arë me sip 1450 m2 dhe me sip 3440 m2, mënyrën e fitimit të pronësisë për dy sipërfaqet e tokave arë si dhe në lidhje me qëllimin e  marrjes së një kredie pranë ish Banka Emporiki – Shqipëri sh.a.

Gjithashtu e pandehura Etleda Çiftja, ka dorëzuar pranë ILDKPKI, një kontratë me përmbajtje të falsifikuar, referuar çmimit të pasqyruar në të, provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm, pasi kjo kontratë  nuk përputhet me atë të gjendur pranë arkivës së zyrës noteriale ku është përpiluar dhe pranë ASHK-së në momentin e regjistrimit të pasurisë për të cilën është lidhur kjo kontratë. Gjithashtu kjo kontratë përmban të dhëna të rreme edhe në lidhje me vetë veprimin e pasqyruar në të, pra shitje blerjen e parcelës tokë arë.