Aktualitet SPAK mbyll hetimet: Erjon Alibej zyrtarisht i pandehur për dy vrasje

SPAK mbyll hetimet: Erjon Alibej zyrtarisht i pandehur për dy vrasje

Erjon Alibej është marrë zyrtarisht i pandehur si porositës për vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, ngjarje të ndodhur në korrik të vitit të shkuar në Elbasan. SPAK ka mbyllur hetimet dhe i kërkon gjykatës që dosja të kalojë për gjykim për Alibejn.

Ndërkohë ndaj personave nën hetim Albert Manahasa, dhe Seit Manahasa, është kërkuar pushimi i çështjes për shkak se nuk e kanë kryer veprën penale për të cilën janë dyshuar, ata u hetuan për bashkëpuntorë në ngjarje.

Alibej u arrestua në 8 Shtator të vitit të shkuar, pasi dyshohet se ka porositur ekzekutimin e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt në Korrik të vitit 2020 në Elbasan. Për këto krime të rënda janë vënë në pranga fillimisht Xhuljan Hoxha dhe Eugen Halilin si ekzekutorët e Ramazanit dhe Runajt pak ditë pas dy ngjarjeve.

Në dosjen hetimore thuhet se Runaj u ekzekutua me 27 goditje me thikë nga pas shpine, ngjarja ndodhi në dalje të qytetit të Elbasanit. Euglen Halili ka rrëfyer para hetuesve se ai e ka kryer vrasjen e Regis Runaj, për llogari Xhuljano Hoxhës. Për këtë krim ai do të merrte një shumë gati 100 mijë Euro.

Runaj ishte miku i Emiljano Ramazanit, 39-vjeçarit që u ekzekutua me armë në momentin që po hipte në automjetin e tij, pasi kishte dalë nga palestra. Erjon Alibej është vëllai i Endrit Alibejt, të ekzekutuar në Elbasan në Dhjetor të 2018-ës. Pistat kryesore për të dy ngjarjet është hakmarrja për ngjarjen e Bradasheshit në Dhjetor të 2018 ku u ekzekutua në një atentat mafioz i vëllai Erjonit, Endrit Alibej.

Atë natë, mbeti i vrarë edhe xhaxhai i tij, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durnay. Mbi automjetin luksoz “Range Rover” u qëllua një breshëri plumbash kallashnikovi. Seriali i ngjarjeve dyshohet të ketë nisur fillimisht për prishjen e pazareve të drogës.