Bota Spanja dhe Franca shpallin gjendjen e jashtëzakonshme

Spanja dhe Franca shpallin gjendjen e jashtëzakonshme

Zgjerohet harta e vendeve europiane që ndërmarrin masa të ashpra kundër koronavirusit. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez shpalli gjendjen e jashtëzakonshme duke urdhëruar deri mbylljen e të gjitha dyqaneve, veç ushqimoreve dhe farmacive ndërsa ndaluan të gjitha udhëtimet jashtë qyteteve si masë për frenimit të përhapjes së koronavirusit.

Listës së të prekurve brenda një dite i janë shtuar rreth 1500 persona, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në mbi 5700. Të vdekurit kanë arritur së fundmi në 136. Edhe bashkëshortja e kryeministrit Sanchez, rezultoi pozitive ndaj virusit.

Gjendje e jashtëzakonshme edhe në Francë, ku janë mbyllur restorante, bare, dyqane e janë ndaluar udhëtimet me makina mes qyteteve. Në këtë vend mbahen këtë të diel zgjedhjet lokale pavarësisht thirrjeve të shumë politikanëve për t’i shtyrë.

Në qendrat e votimit janë kryer dezinfektime dhe po zbatohen rregulla rigoroze të mbajtjes së distancës, apo hyrjes me maska në qendrat e votimit. Pjesëmarrja gjithsesi pritet të jetë e ulët.

Papa Françesku urdhëroi anulimin e të gjitha ceremonive që u paraprijnë Pashkëve katolike të 12 Prillit. Shefi i Shtëpisë së Bardhë rezultoi negativ në testet për koronavirus, pas takimeve me disa zyrtarë vendas dhe të huaj, të cilët rezultuan pozitivë.

Trump publikoi në Twitter një video ku disa avionë ushtarakë krijojnë përmes tymit flamurin italian, duke shprehur solidaritetin me përpjekjet e Italisë kundër virusit. Italia është i dyti vend në botë pas Kinës për nga numri i viktimave dhe ku virusi po përhapet me ritme të shpejta.

Numri i viktimave në gjithë botën ka arritur në mbi 5800. Të infektuarit prej fillimit të përhapjes numërohen në mbi 158 mijë, ndërsa të shëruarit afro 74 mijë.