Sport Spanja kualifikohet me goleadë, Suedia dërgon Poloninë me pushime

Spanja kualifikohet me goleadë, Suedia dërgon Poloninë me pushime

Spanja zhbllokohet në ndeshjen e fundit në grup, pasi dërgon plot 5 herë topin në portën e Sllovakisë, duke fituar me rezultatin e thellë 5-0 dhe njëkohësisht duke siguruar kalimin në fazën e 1/8-ave si vendi i dytë i grupit E.

Pas dy ndeshjeve të para zhgënjyese, Spanja reagoi në mënyrë perfekte në takimin ndaj sllovakëve, ku asnjë rezultat tjetër përveç fitores nuk bënte punë dhe ia doli të tundë plot 5 herë rrjetën e Dubravkës.

Sfida nisi menjëherë vrullshëm për Spanjën, që në minutën e 12’ fitoi një penallti, goditjen e të cilës e mori përsipër Alvaro Morata, por edhe nga 11 metra distancë gaboi, pasi topi u prit nga portieri Dubravka.

Megjithatë ky i fundit ishte i pafat në minutën e 30’, pasi shënoi në portën e tij golin e avantazhit për spanjollët, të cilët në shtesën e pjesës së parë gjetën edhe golin e dytë me anë të mbrojtësit Aymeric Laporte.

Edhe pjesa e dytë u zhvillua nën diktatin e spanjollëve, të cilët shënuan edhe tre herë të tjera, fillimisht me Sarabian, më pas me Ferran Torres dhe në fund një autogol i Jurai Kucka-s që mbylli llogaritë e ndeshjes.

Surpriza e grupit E është Suedia, që triumfoi me rezultatin 3-2 ndaj Polonisë dhe u kualifikua si kryesuese me 7 pikë, dy më tepër se Spanja, ndërsa Robert Lewandowski do të nisë pushimet para kohe, ndonëse arriti të shënojë tre gola në këtë Europian.

Forsberg në minutën e dytë dhe të 59’ shënoi dy herë për suedezët, megjithatë Polonia reagoi mirë dhe shënoi dy herë me bomberin kryesor të skuadrës, Lewandowski, duke rikthyer baraspeshën në minutën e 84-t.

Megjithatë në minutat shtesë ishte Claesson që shënoi edhe golin e fitores për Suedinë, e cila e mbylli grupin si kryesuese dhe në fazën e 1/8-ave do të përballet me Zvicrën ose Republikën Çeke, ndërsa Spanja do të gjejë Kroacinë në fazën tjetër.