Bota Spanja shënon 300 të vdekur në një ditë nga COVID-19, kryeministri: E...

Spanja shënon 300 të vdekur në një ditë nga COVID-19, kryeministri: E keqja s’ka ardhur ende

Fatkeqësisht e keqja e madhe s’ka ardhur ende, ditë të vështira na presin”, kështu do të shprehej kryeministri spanjoll Pedro Sanchez gjatë një konference për median, mbrëmjen e së shtunës.

Spanja është shteti i dytë me numrin me të lartë të të prekurve nga koronavirusit në Evropë dhe prej ditësh nuk tregon asnjë shenjë përmirësimi, pasi numri i vdekjeve brenda 24 orëve të fundit kaloi shifrat e 300.

Numri i peronave që kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19 arriti në 1.326 dhe numri i të infektuarve në 24.926.

Edhe numri i personave të shtruar në terapi intensive u rrit dukshëm.

Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë deklaruan që rastet ka të ngjarë të vazhdojnë të shtohen dhe se nuk e dinë kur do të arrihet pika maksimale.

Vendi prej një javë tanimë ka deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme dhe për një periudhë 15-ditore janë ndaluar të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme.

Përpjekjet e qeverisë për të vënë nën kontroll virusin, deklaroi Sanchez, vazhdojnë dhe vetëm brenda ditës së shtunë ata kishin arritur të siguronin  640 000 aparate testimi.