Bota Spanjë/ Kompanitë e duhanit duhet të paguajnë për pastrimin e bishtave të...

Spanjë/ Kompanitë e duhanit duhet të paguajnë për pastrimin e bishtave të cigareve

Rreth një e pesta e spanjollëve të rritur pinë duhan. Bishtat e cigareve që përfundojnë në tokë ndotin mjedisin. Prandaj qeveria spanjolle do t’i detyrojë kompanitë e duhanit të paguajnë për pastrimin e tyre.

Miliona bishta cigaresh hidhen çdo vit nëpër rrugët dhe plazhet e Spanjës dhe çlirojnë mbetje toksike për asgjësimin e të cilave nevojiten dekada të tëra.

Qeveria spanjolle ka vendosur tani rregulla të reja për mbrojtjen mjedisore, sipas të cilave kompanitë që përpunojnë duhan dhe prodhojnë cigare do të duhet të paguajnë faturën për pastrimin e bishtave të cigareve.

Sipas shkencëtarëve ndotjet mikroplastike mund të pengojnë gjithashtu edhe rritjen e bimëve.

Shifrat nga viti 2020 tregojnë se rreth një e pesta e spanjollëve të rritur pinë duhan.

Rregullat hynë në fuqi këtë javë, por mbetet e paqartë se si do të zbatohen dhe nëse kompanitë mund t’i kalojnë kostot te konsumatorët.