Sport Spanjollët duan Iker Kasilas për president të Federatës

Spanjollët duan Iker Kasilas për president të Federatës

Në Spanjë po flitet gjithmonë e më shumë për kandidimin e Iker Kasilasit për president të Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF). Në zgjedhjet e ardhshme ai mund të sfidojë presidentin aktual, Luis Rubiales.

“MARCA” ka bërë një sondazh në lidhje me këtë çështje dhe lexuesit e gazetës spanjolle kanë qenë pro ish-kapitenit të madh të Spanjës në Europianet 2008 dhe 2012, si dhe në Kupën e Botës 2010. “A do të ishte Kasilas një president i mirë i RFEF?” – është pyetja e parë që ka shtruar “MARCA” dhe 93% e votuesve janë përgjigjur me “Po”. Një shenjë e madhe besimi e spanjollëve. Pyetja tjetër e gazetës ishte: “Në një duel hipotetik midis Kasilas dhe Rubiales për presidencën e RFEF-së, kush do të dëshironit të fitonte?” Këtë herë ish-portieri ka marrë 94% të votave dhe 6% Rubiales.

Iker Kasilas ka luajtur me Realin, por të gjithë tifozët spanjollë e duan dhe e mbështesin për kandidaturën e mundshme për president të Federatës. Ai ka fituar gjithçka me Spanjën si lojtar. Por nuk janë vetëm tifozët. David Aganzo, presidenti i Shoqatës Spanjolle të Futbollistëve (AFE), beson se Kasilas do të ishte një president i shkëlqyer. “Si president i sindikatës së lojtarëve, më pëlqen që presidentët e Federatës të jenë futbollistë, – thotë Aganzo. – Iker është një person që e njoh prej më shumë se 30 vjetësh, ai e do futbollin njësoj si Luis Rubiales. Mendoj se është mirë që ka më shumë se një kandidat për presidencën e RFEF-së”.