Kryesore SPECIALE/ Joe Biden përballë presidentëve të mëparshëm

SPECIALE/ Joe Biden përballë presidentëve të mëparshëm

Nga Megan Duzor dhe Marissa Melton | Zëri i Amerikës

Presidenti amerikan shpesh konsiderohet si “udhëheqësi i botës së lirë”, dhe në të vërtetë është një nga udhëheqësit më të fuqishëm të botës. Gjatë 232 viteve të kaluara, shumica e presidentëve të Shteteve të Bashkuara kanë qenë të bardhë, meshkuj dhe protestantë. Po ku ngjason dhe ku ndryshon Presidenti i zgjedhur Joe Biden, i cili merr detyrën më 20 janar, nga paraardhësit e tij?

31 presidentë kanë pasur rol në ushtri

Por kjo prirje nuk ka vazhduar me presidentët e fundit

Shumica dërrmuese e presidentëve amerikanë kanë ardhur në detyrë si veteranë, përfshirë shërbimin në milicitë shtetërore dhe Gardën Kombëtare. Disa presidentë kanë qenë gjeneralë të shquar ushtarakë, përfshirë presidentin George Washington, që ishte komandant i Ushtrisë Kontinentale gjatë Luftës Revolucionare; Ulysses S. Grant, i cili komandoi trupat e Unionit gjatë Luftës Civile; dhe Dwight D. Eisenhower, i cili udhëhoqi ushtrinë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas Luftës Civile, një numër veteranësh, që kishin luftuar të gjithë për Unionin, shërbyen si president, ndërsa Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore sollën një valë tjetër presidentësh veteranë. Por prirja për presidentë veteranë u ndërpre në dekadat e fundit. Shumica e presidentëve të mëvonshëm, Bill Clinton, Barack Obama, Donald Trump dhe Joe Biden, nuk kanë shërbyer në forcat e armatosura.

26 presidentë kanë qenë anëtarë të Kongresit

Joe Biden shërbeu në Senat për 36 vjet

Që nga koha e James Madisonit e deri në kohët moderne, shumë prej atyre që kanë aspiruar presidencën, kanë qenë më parë anëtarë të Kongresit. Pak më shumë se gjysma e të gjithë presidentëve të Shteteve të Bashkuara, kanë shërbyer në Kongres, në Dhomën e Përfaqësuesve, në Senat ose në të dyja dhomat. Shtatëmbëdhjetë senatorë janë bërë presidentë, përfshirë Joe Biden, por vetëm tre senatorë kaluan direkt nga Senati amerikan në Shtëpinë e Bardhë: Warren G. Harding, John F. Kennedy dhe Barack Obama. Vetëm një anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, James Garfield, është zgjedhur President ndërsa shërbente në Kongres.

Biden do të jetë presidenti më i moshuar kur të marrë detyrën

Numri i presidentëve sipas moshës në Ditën e Inaugurimit

Një person mund të kandidojë ligjërisht për president në moshën 35 vjeç, por presidentët më të rinj – të cilët shpesh janë vlerësuar për rininë dhe karizmën e tyre, përveç arritjeve të tyre politike – e kanë marrë detyrën në fillim të të 40-ave. Më i riu, “Teddy” Roosevelt u bë president në moshën 42 vjeçare dhe njihej si dikush i apasionuar pas aventurave në natyrë. John F. Kennedy, i cili hyri në Shtëpinë e Bardhë në moshën 43 vjeç, konsiderohej si princi i një familjeje politike magjepsëse. Presidentët e moshuar, si Dwight Eisenhower dhe Ronald Reagan, i dukeshin një pjese të publikut si figura gjyshërish. Donald Trump u bë presidenti më i moshuar që merrte detyrën në vitin 2017 kur ishte 70 vjeç. Por Joe Bideni i cili hyn në Shtëpinë e Bardhë në moshën 78 vjeç do të jetë tani më i moshuari. Detyra e udhëheqjes së botës së lirë mund ta plakë një person; disa presidentë që hynë në Shtëpinë e Bardhë me flokë në ngjyrën origjinale, ishin krejtësisht të thinjur në fund të mandateve.

Biden do të jetë presidenti i dytë katolik i Shteteve të Bashkuara

Të gjithë presidentët amerikanë e kanë identifikuar veten si të krishterë

Kushtetuta e SHBA ndalon çdo deyrim për përkatësi fetare për funksione publike, por të gjithë presidentët amerikanë deri tani kanë deklaruar se janë të krishterë dhe të gjithë, me përjashtim të dy prej tyre, kanë qenë protestantë. Joe Biden do të jetë presidenti i dytë katolik pas John F. Kennedy. Asnjë president nuk ka qenë hebre apo mysliman, dhe askush nuk ka deklaruar publikisht ateizmin, megjithëse disa mendonin se Thomas Jefferson, Abraham Lincoln dhe William Howard Taft ishin agnostikë ose ateistë. Ish-kandidati presidencial Bernie Sanders, i cili humbi emërimin demokrat në 2020 ndaj zotit Biden, mund të kishte qenë presidenti i parë hebre i vendit nëse do të kishte fituar.

15 presidentë kanë shërbyer më parë në postin e nënpresidentit

President Barack Obama, shoqëruar nga nënpresidenti Joe Biden, flet pas zgjedhjeve më 9 nëntor 2016, në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë në Uashington. (Foto nga AP)

Nga 15 nënpresidentë që u bënë presidentë, tetë prej tyre e morën detyrën për shkak të vdekjes së një presidenti, ndërsa njëri prej tyre – Gerald Ford – mori detyrën pas dorëheqjes së një presidenti – Richard Nixon. Megjithëse të qenurit nënpresident shihet zakonisht si avantazh për të fituar në zgjedhjet presidenciale, disa nënpresidentë nuk kanë arritur të sigurojnë Shtëpinë e Bardhë, përfshirë Al Gore që ishte nënpresident për Bill Clintonin, dhe Walter Mondale që ishte nënpresident për presidentin Jimmy Carter. Joe Biden, i cili shërbeu si nënpresident për Barack Obamën është vetëm nënpresidenti i dytë që merr presidencën pas katër vjetësh nga koha kur ishte nënpresident dhe jo menjëherë pas përfundimit të mandatit të presidentit të tij. Personi tjetër që ishte në të njëjtën pozitë ishte Richard Nixon, i cili shërbeu si nënpresident i Dwight D. Eisenhowerit nga 1953-1961 por nuk fitoi presidencën deri në vitin 1968.

Udhëheqësit e gjatë bien në sy, por fiziku nuk është kusht për një drejtues të aftë

Është krijuar ideja se personat e gjatë kanë më shumë gjasa sesa të shkurtrit të bëhen udhëheqës dhe të pasurohen. Në fakt tre ndër ata që konsiderohen të jenë ndër presidentët më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara – George Washington, Thomas Jefferson dhe Abraham Lincoln – janë mes presidentëve më të gjatë të vendit. Lincoln kryeson listën, 1 metër e 93 centimetra i gjatë. Megjithatë, disa nga presidentët më të shkurtër konsiderohen baballarët e themelimit të vendit, përfshirë presidentin e katërt të Shteteteve të Bashkuara, James Madisoni që ishte udhëheqësi më i shkurtër amerikan, me gjatësi 1 metër e 63 centimetra, si edhe presidenti i dytë amerikan, John Adams, 1 metër e 70 centimetra. Shumë nga presidentët e dekadave të fundit janë ndër më të gjatët, përfshirë Donald Trumpin, Bill Clintonin dhe George H.W. Bushin.

33 presidentë kanë diploma universitare

Vetëm një e katërta nuk kanë diplomë

Shumica e presidentëve të Shteteve të Bashkuara, madje edhe më të hershmit, kanë qenë më të arsimuar se popullata e përgjithshme. Të gjithë presidentët, me përjashtim të 12 syresh, kanë një diplomë universitare katërvjeçare, përfshirë çdo president që nga viti 1953. Megjithëse presidentët pa diplomë janë në pakicë, dy prej tyre janë ndër presidentët më të nderuar të Shteteve të Bashkuara, George Washington dhe Abraham Lincoln. Washingtoni fitoi licencën e topografit nga Kolegji William & Mary në Virxhinia, por jo një diplomë universitare, ndërsa Lincoln nuk ndoqi kurrë studimet universitare. Vetëm një nga presidentët ka pasur doktoraturë – Woodrow Wilson – i cili ishte edhe president i Universitetit Princeton para se të shkonte në Shtëpinë e Bardhë. Disa presidentë kanë diploma në drejtësi, përfshirë disa nga më të fundit – Joe Biden, Barack Obama dhe Bill Clinton. Edhe shumë nga presidentët e hershëm kishin studiuar ose praktikuar të drejtën, por në atë kohë, nuk duhet diplomë universitare për t’u trajnuar si jurist, thjesht praktikë në një zyrë juridike.

27 presidentë kanë qenë juristë

60 për qind e të gjithë presidentëve kanë studiuar ose praktikuar profesionin e juristit

Sipas Shoqatës së Avokatëve Amerikanë, 27 presidentë kanë qenë juristë, i fundit mes tyre Joe Biden. Shoqata thotë se tetë presidentë madje kanë paraqitur çështje para Gjykatës së Lartë amerikane, ose para ose pas presidencës – John Quincy Adams, James Polk, Abraham Lincoln, James Garfield, Grover Cleveland, William Howard Taft, Benjamin Harrison dhe Richard Nixon. Taft ishte i vetmi president që ka shërbyer në Gjykatën e Lartë. Ai u bë anëtar i saj pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë. Adams u emërua gjithashtu dhe u konfirmua për një vend në Gjykatën e Lartë, por refuzoi pozicionin, duke thënë “Jam shumë partiak për të qenë gjykatës.”

9 presidentë kishin mustaqe ose mjekër gjatë mandatit të tyre

Mustaqet dhe mjekrat ishin diçka e zakonshme në shekullin e 19-të

Nga 1861 deri në 1909, shumica e presidentëve kishin mustaqe ose mjekër, çka ishte e zakonshme në një kohë kur Shtetet e Bashkuara përjetonin ndryshime të mëdha: Revolucioni Industrial, Lufta Civile, fundi i skllavërisë dhe me fillimin e angazhimit të gruas jashtë shtëpisë. Si reagim, moda e burrave filloi ta vërë theksin tek “burrëria”. Fytyra me mjekër të gjatë, u kthye në një mënyrë tjetër për të përcjellë imazhin e forcës dhe pushtetit. Abraham Lincoln, presidenti i parë me mjekër, thuhet se filloi të linte mustaqe gjatë fushatës së tij presidenciale në 1860 pasi një vajzë 11-vjeçare ia sugjeroi një gjë të tillë, duke i thënë se rudhat e lodhjes në fytyrën e tij mund të shkurajonin votuesit e mundshëm. Mustaqet dhe mjekra filluan të dalin nga moda në fillim të shekullit të 20-të me konsolidimin e klasës së re të profesionistëve, ku burrat duhet të dukeshin të rregullt. Fytyrat e rruara dhe të pastra janë bërë normë në gjithë botën politike.

Nga janë presidentët?

Cili nga shtetet ka nxjerrë numrin më të madh të presidentëve?

Në fillimet e Shteteve të Bashkuara si vend, Virxhinia ishte shteti që nxori numrin më të madh të presidentëve, katër nga pesë presidentët e parë. Megjithatë gjatë gjithë historisë së Shteteve të Bashkuara, shumica e presidentëve kanë dalë nga Nju Jorku, shtatë prej tyre, përfshirë presidentin Donald Trump, ndërsa Ohajo pason me gjashtë presidentë. Jo çdo shtet ka nxjerrë një president. Vetëm 19 shtete kanë nxjerrë një komandant të përgjithshëm. Me fitoren e Joe Bidenit, Delauer përfaqësohet për herë të parë në këtë listë.

Megjithëse ka mënyra të ndryshme për të llogaritur shtetin nga vjen një presidenti, përfshirë këtu vendlindjen ose shtetin ku presidenti ka jetuar më gjatë para zgjedhjes, në këtë grafik, shteti nga vjen presidenti përcaktohet në bazë të lidhjes që ai ka me atë shtet. Për shembull Delauer, të cilin Biden e përfaqësoi në Senatin amerikan për 36 vjet, përcaktohet si shteti i tij, megjithëse ai ka lindur në Pensilvani.