Kryesore Spiropali: Do hyjmë në zgjedhje me opozitën (por jo me PD-në)

Spiropali: Do hyjmë në zgjedhje me opozitën (por jo me PD-në)

Ministrja dhe zëdhënësja e qeverisë Elisa Spiropali ka deklaruar se në zgjedhjet lokale të 30 Qershorit do të hyjnë së bashku me opozitën, por jo me atë zyrtare.

Duke folur për mediat në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, Spiropali u shpreh se Partia Demokratike dhe partitë e tjera aleate që kanë djegur mandatet, nuk janë opozita e vendit.

Sa i përkes ditës së zgjedhjeve, Elisa Spiropali e ka konsideruar të papranueshme nëse do të kryhen akte dhune, për të cilat tha se do të marrin përgjigjen e merituar.

“Kemi diskutuar për zgjedhjet e 30 Qershorit, sepse jemi të vendosur që të garantojmë një proces zgjedhor për shqiptarët dhe me shqiptarët. Ne nuk do shkojmë në zgjedhje pa opozitën, ato nuk janë opozita e vendit, ato janë disa parti që kanë zgjedhur mos jenë pjesë e procesit zgjedhor. Atë vendim e kanë marrë prej frikës. Nuk jemi këtu për të vendosur datën e zgjedhjeve. Në dijeninë tonë janë rreth 42 parti politike që janë regjistruar në zgjedhje.

Ne nuk do marrim pjesë në luftë, do marrim pjesë në zgjedhje dhe ne shpresojmë që asnjë forcë politike nuk e ka lënë mendja që të ndalojë shqiptarët të votojnë. Çdo akt dhune është i papranueshëm. Është një turp që Partia Demokratike ka zgjedhur të lërë në rrugë zgjedhësit e saj“, u shpreh ministrja Spiropali.