Aktualitet Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme përfundon brenda dhjetorit

Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme përfundon brenda dhjetorit

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kanë inspektuar punimet në Spitalin e Ri të Sëmundjeve të Brendshme, pjesë e investimeve për modernizimin e QSUT, ku deklaruan se spitali i ri do të përfundojë brenda vitit.

“Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme ka ecur në një nivel të ri të investimit, që tashmë qeveria shqiptare ka filluar prej 14.8 milionë euro. Po ecim me ritme të mira dhe brenda dhjetorit përfundon ky spital”, tha Manastirliu.

Duke folur për kapacitetet e spitalit të ri, Manastirliu tha se ky spital do të kompletojnë profilin e një spitali të mirëfilltë të sëmundjeve të Brendshme.

“Këtu në total do të kemi 271 shtretër, të ndarë sipas shërbimeve të kardiologjisë, hematologjisë, endokronologjisë, gastrohepatologjisë, nefrologjisë,  alergologjisë, dermatologjisë, etj. Ndërkohë që gjithë zhvillimi i këtij spitali është i projektuar që të integrohet me godinën e parë, duke ofruar kështu rienergjizim të gjithë kapaciteteve aktuale dhe gjithashtu dhe këtyre ambienteve të reja. Po krijojmë edhe një mënyrë të re të organizimit aktual të shërbimeve për Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme”, deklaroi Manastirliu.

Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të ofrojë shërbimin e mjekësisë interne, shërbimin e reumatologjisë, alergologjisë, dermatologjisë dhe fizioterapisë që aktualisht ndodhen në godina të tjera të QSUT.

Spitali i ri do të ketë edhe një spital ditor me 60 shtretër dhe 9 salla leksioni dedikuar studentëve të mjekësisë, ku do të zhvillohen praktikat mjekësore.