Bota Spiunët milionerë, hetimi zbulon shumat marramendëse për bashkëpunëtorët e drejtësisë në SHBA

Spiunët milionerë, hetimi zbulon shumat marramendëse për bashkëpunëtorët e drejtësisë në SHBA

Agjencitë federale amerikane kanë paguar të paktën 548 milionë dollarë në vitet e fundit për informatorët që kanë punuar për Byronë Federale të Hetimeve (FBI), Agjencinë e Antidrogës (DEA) dhe Byronë e Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Lëndëve Shpërthyese (ATF). Shifra, raporton Forbes, u zbulua nga një audit i kryer në këto agjenci federale.

Sipas hetimit, disa informatorë madje janë shndërruar në milionerë. Auditi zbuloi gjithashtu se disa prej tyre kanë pasur leje për të kryer edhe vepra penale. Në periudhën 2011-2014 janë kryer 22800 krime të autorizuara.

FBI ka paguar rreth 294 milionë dollarë në periudhën 2012-2018, DEA ka paguar 237 milionë dollarë në periudhën 2011-2015, ndërsa ATF ka paguar rreth 17,2 milionë dollarë në periudhën 2012-2015 ndaj informatorëve.

FBI shpenzoi mesatarisht 42 milionë dollarë në vit për burimet konfidenciale njerëzore për vitet 2012-2018, me 20% të shumës të marrë nga spiunët afatgjatë, sipas të dhënave të Departamentit të Drejtësisë të vitit 2019. DEA rezulton të ketë pasur në këtë periudhë rreth 18 mijë informatorë, disa prej të cilëve kanë fituar deri në 1 milion dollarë.

Dy prej rasteve më flagrante të pikasur nga Inspektori i Përgjithshëm i Drejtësisë janë brenda informatorëve të DEA-s, ku një person ka marrë mbi 1 milion dollarë në 5 vite, ndërsa një punonjës i kompanisë hekurudhore është paguar mbi 960 mijë dollarë. Sipas Inspektorit, këto para ishin harxhim i kotë i fondeve qeveritare, pasi informacionet e përfituara mund të ishin arritur në mënyrë operative, pa nevojën e spiunëve.