Sport Statistikat nuk e shohin kampion Liverpoolin, Klopp: Nuk më interesojnë

Statistikat nuk e shohin kampion Liverpoolin, Klopp: Nuk më interesojnë

Liverpool po bën një sezon të magjishëm deri tani, sidomos në Premier League, ku udhëheq me një diferencë prej 8 pikësh ndaj Leicester.“The Reds” e kërkojnë me çdo kusht titullin në kampionat, pasi mungon në “Anfield” që prej vitit 1990, pra po mbushen plot 30 vite që Liverpool nuk triumfon në elitën e futbollit anglez.

Vitet e fundit ka qenë shumë pranë, por në fund të kuqtë nuk ka arritur të festojnë. Pikërisht lidhur me këtë ecuri, është pyetur Jurgen Klopp në konferencën e fundit para mediave. Një prej gazetarëve ka pyetur trajnerin gjerman nëse frikësohet ndopak nga statistikat, pasi vetëm tre herë ka ndodhur në 10 vitet e fundit që kampioni i dimrit të mbajë pozitën e vendit të parë deri në fund.

Klopp është përgjigjur shumë qartë dhe pa doreza, duke u shprehur: “Mendoj se e kam thënë shpesh dhe vazhdoj ta them që nuk jam fare i interesuar te numrat dhe në këto lloj historish. Gjithsesi, është pjesë e punës, pasi kur je në krye janë shumë njerëz që shpresojnë që ti do dështosh. Nuk i dëgjoj fare të jem i sinqertë. Do të mundohemi të fitojmë ndaj Bornemouth.”