Kryesore “S’të del dot as një fabrikë dahoni…”, Basha i përgjigjet Ramës nga...

“S’të del dot as një fabrikë dahoni…”, Basha i përgjigjet Ramës nga Durrësi: O Rame, Çyrbja ka fillu me fol

Durrësi ishte stacioni i radhës i Koalicionit Euroatlantik, ku Lulzim Basha ka prezantuar mbrëmjen e sotme kandidatët e tij për deputet në zgjedhjet e 11 Majit.

Teksa vlerësoi figurat e listës së tij, për të cilët evidentoi se janë të papërlyera e të pakorruptuar, Basha u ndal te telashet që kanë ish-ministra, deputetë e kryebashkiakë socialistë me SPAK-un.

Këtë u kujdes ta nxirrte në pah përmes një mesazhi në rrjetet sociale për kryeministrin Edi Rama, duke vijuar replikat me batuta që kanë nisur të shkëmbejnë prej mëse një jave.

Pjesë të ironisë së tij këtë herë Basha bëri edhe burgun e Durrësit, aty ku qëndrojnë në paraburgim disa emra të njohur të PS, por edhe paketat e cigareve që i la si porosi për kryeministrin para dy ditësh.

Basha thotë se me ritmin e lartë të arrestimeve nga radhët e mazhorancës që po vijon SPAK-u, gjasat janë që as me një fabrikë për prodhimin e duhanit, nuk do t’ia dalë dot të ndihmojë shefin e qeverisë në “hallet” që i bien.

“O Rameee… Në Durrës jam Rameee. A ja çove dy paketat lali Erit apo po i run për ndonjë tjetër. E di vetë ti. Më tha një nga të tutë këtu: O Lul se mos fillon ndonjë biznes me import cigaresh se s’ke për t’ia dalë me paketa për këto tonët në burg. E mër Rame, mër Rame, ngele duke u marrë me shokët e mi. Ja ku i ke shokët e mi të Durrësit, Krujës, Fushë-Krujës, të Shijakut. Po shokët e tu ku i ke o Rame? Ku e ke Terin më Rame? Ku e ke më Rame, Gjush Akulloren. E mër Rame. Po Lir Beqen? Po Ben Ahmetajn? E Ramë, Ramë. Ça do i çojmë Jurgis Çyrbes o Rame? Se s’ja mush dot menjen vetëm me cigare atij. Ka dalë gjithandej duke thon se votat i mora për Ramën, jo për vete. Kujdes Rame, se s’ta dal dot as me fabrikë dahoni mo”, thotë Basha në video-mesazhin e tij.