Bota Stili gotik jashtë mode? Propozim “ekologjik” për “Notre Dame”

Stili gotik jashtë mode? Propozim “ekologjik” për “Notre Dame”

Arkitektura e stilit gotik është shumë e vjetruar… Të paktën kështu mendon firma franceze që ka propozuar një projekt për të shndërruar çatinë e Katedrales së “Notre Dame” në një serë gjigante. Kulla e kishës 856-vjeçare do të zëvendësohej me një kullë xhami të mbushur me bletë, ndërsa e gjithë çatia do të shndërrohej në një kopsht.

Franca është përfshirë momentalisht nga një debat për mënyrën se si duhet rindërtuar katedralja pasi u dogj pjesërisht më 15 prill. Sipas firmës “NAB”, silueta e godinës nuk do të ndryshonte, por vetëm qëllimi i saj do të ishte më modern dhe më “ambientalist”.

Kulla spirale do të zëvendësohej me një strukturë hekuri në ngjyrë ari e mbuluar me panele xhami. Bletët në fakt nuk janë një risi, pasi 180 000 jetonin aty në kuti druri e mrekullisht i mbijetuan zjarrit. Sipas firmës, ky dizajn i ri do të rikthente dashurinë për natyrën.

Kostot e riparimit të katedrales mendohet se do të kalojnë 1 miliardë dollarë dhe për këtë qëllim është çelur edhe një konkurs ku janë ftuar firma arkitekturore nga e gjithë bota. Deri tani, më shumë se 835 milionë dollarë janë mbledhur në fonde të dhuruara nga miliarderë të ndryshëm, por edhe fëmijë.

Presidenti Emmanuel Macron u zotua që “Notre Dame” do të rindërtohet për 5 vite, ndërsa arkitektët mendojnë se do të duhen dekada për të rikthyer siç ishte një prej monumenteve më të rëndësishme të Parisit, që vizitohet çdo vit nga 13 miliardë njerëz.