Sport Stoichkov paralajmëron Barçën: Rikthimi i Neymar? Një bombë në dhomën e zhveshjes…

Stoichkov paralajmëron Barçën: Rikthimi i Neymar? Një bombë në dhomën e zhveshjes…

Kthimi i Neymar te Barcelona është një nga “telenovelat” më të mëdha, që po shfaqet në këtë verë të nxehtë edhe në merkaton e futbollit. Kampioni brazilian, i cili u largua nga klubi blaugrana vetëm dy vera më pare, për të filluar një aventurë të re në Francë, tani duket se është i gatshëm të largohet nga PSG dhe të kthehet në klubin që e solli në Europë dhe e “shuguroi” si një nga lojtarët më të mirë në botë.

Ardhja e Neymar te Barça do të ishte diçka sensacionale, duke pasur parasysh cilësinë e lojtarit, por edhe shkallën e bështirësisë financiare të operacionit. Ka edhe nga ata, si Hristo Stoichkov, që janë të bindur se kjo lëvizje do të ishte gabim për klubi katalanas. Ish-sulmuesi bullgar i Barcelonës, duke folur për “Univision”, shpjegoi pse Blaugrana-t duhet ta shmangin rikthimin e xhevahirit të PSG: “Barcelona nuk ka nevojë për Neymar. Nuk ka vend për të në një ekip, që tashmë ka lojtarë të rëndësishëm. Te Barça janë Dembele, Griezmann, Suarez dhe Messi, ku duhet të luajë Neymar? Do të ishte thjesht një bombë në dhomën e zhveshjes”.

Sipas Stoichkov, Neymar nuk do të përfaqësonte një biznes të mirë, edhe nga këndvështrimi ekonomik: “Natyrisht, ka nga ata që e duan Neymar dhe kërkojnë ta kthejnë në klub, por Barcelona nuk ka para për ta marrë atë nga PSG. Është gjithashtu mosrespektuese kjo gjë për lojtarët e tjerë, që janë te Barcelona. Për shembull, Rakitic është një punëtor i shkëlqyer, një djalë jashtëzakonisht i përulur, që ka mbrojtur gjithmonë interesat e Barcelonës. Edhe Coutinho, i cili kushtoi shumë, ka ende shumë për të treguar dhe unë e mbroj atë. Shpresoj që asnjë lojtar i tillë të mos largohet nga Barcelona prej Neymar”.