Sport Strakosha kriset totalisht me Lacion, Igli Tare nuk ka ndërmend t’i rinovojë...

Strakosha kriset totalisht me Lacion, Igli Tare nuk ka ndërmend t’i rinovojë kontratën

Tomas Strakosha gjithmonë e më larg Lacios. Krisja duket totale mes tij dhe klubit. Ishte titullar i padiskutueshëm, kampionatin e fundit nuk kishte humbur asnjë minutë. Thomas Strakosha, në skadencë kontrate në 2022, ka humbur vendin e titullarit ndaj Pepe Reinas, i cili erdhi si portier i dytë, një zgjedhje e klubit për Ligën e Kampionëve, por edhe për ta ndihmuar 25-vjeçarin shqiptar të rritet, duke pasur pranë një koleg me përvojë.

Sezoni shkoi ndryshe nga sa ishte parashikuar, pasi disa probleme fizike të Strakoshës dhe pastaj prekja e tij nga Covid-19 krijuan një shans për Reinën, i cili e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë, duke fituar fanellën e titullarit.  Lajmi i fundit që filtron nga klubi bardhekaltër, sipas mediave italiane, është se Lazio nuk ka ndërmend ti rinovojë kontratën portierit të kombëtares shqiptare.

Negociatat e rinovimit ishin ngadalësuar në muajt e fundit dhe tani janë bllokuar në mënyrë të pashmangshme. Strakosha mund të hedhë edhe sytë përreth. Frika për të qëndruar gjatë në stol është gjithnjë e më e fortë, për më tepër që, siç duket, nuk ka më vend tek Lazio për Thomas.

Nuk është e rastësishme dalja hapur e portierit në elozhet për një klub tjetër. Shqiptari, duke folur pak kohë më parë për Sky Sports në Gjermani ka lajmëruar një lamtumirë të mundshme në verë: “Unë jam i hapur për sfida të reja. Roma është si një shtëpi e dytë për mua, por Bundesliga është një kampionat shumë interesant. Mund të jetë një hap i shkëlqyeshëm në karrierën time. Borussia Dortmund? Ata janë një klub i shkëlqyeshëm me ambicie të mëdha. Është e qartë se ata janë një klub interesant që gjithashtu ka një stadium të pabesueshëm. Do të gënjeja nëse do të thoja se nuk isha i interesuar”.