Sport Strakosha si “njeriu merimangë”, vendimtar në përmbysjen e madhe të Lacios

Strakosha si “njeriu merimangë”, vendimtar në përmbysjen e madhe të Lacios

Lacio po kalon një moment fantastik në Serinë A. Vazhdon t’u bëjë presion Interit dhe Juventusit, duke qëndruar tri pikë pas tyre. Të hënën në mbrëmje, Lacio ka marrë fitoren e radhës në mënyrë gati të pabesueshme, pasi ka përmbysur gjithçka në kohën shtesë ndaj Kaljarit, në minutat 93’ dhe 98’. U duk një ndeshje e humbur për Lacion, por kjo skuadër duket se vërtet këtë sezon mund të pretendojë titullin.

Tomas Strakosha ka një meritë të madhe në këtë fitore të skuadrës së tij. Ai dhe Kaisedo janë dy lojtarët më të vlerësuar për paraqitjen e bërë ndaj Kaljarit. Të dy janë vlerësuar me notën 7. Strakosha e mbajti Lacion në lojë në disa raste, duke shmangur gola thuajse të sigurt, ndërsa Kaisedo, i aktivizuar si zëvendësues, shënoi golin e fitores në frymën e fundit.

Strakosha 7 – E mban Lacion në lojë deri në momentin e fundit me një pritje të jashtëzakonshme ndaj Naingolanit në fundin e pjesës së parë. Nuk mund të bënte asgjë në golin e Simeones. Janë edhe disa pritje të tjera të portierit të Lacios në pjesën e dytë”. Ky është vlerësimi i medias italiane për portierin kuqezi të Lacios, i cili ka bërë “njeriun merimangë” në stadiumin e Kaljarit, duke zgjidhur momente vendimtare me pritjet e tij. Pas golit të Kaisedos ka shpërthyer festa bardhekaltër në fushë, ku është parë edhe Igli Tare, duke mos i përmbajtur dot emocionet.

Tare ka dhënë gjithmonë deklarata modeste për shtypin italian, duke u shprehur se Lacio nuk mendon për titullin, por për të tjera gjëra. Gjithsesi, ko ecuri fantastike e bën atë dhe presidentin Lotito të besojnë jo vetëm te Championsi, por edhe te titulli, ndërsa Strakosha është gjithmonë e më i rëndësishëm për skuadrën.